Atësia nuk është vetëm një rol social, por një proces i thellë biologjik që transformon trupin dhe trurin e burrave, shpesh që para lindjes së fëmijës. Studimet tregojnë se meshkujt përjetojnë ndryshime hormonale dhe neurologjike të ngjashme me ato të nënave, duke i përgatitur për kujdesin prindëror.
Një nga ndryshimet kryesore është rënia e testosteronit. Kërkimet kanë treguar se burrat që bëhen baballarë- sidomos ata që kujdesen më shumë për fëmijët- kanë nivele më të ulëta të këtij hormoni. Kjo lidhet me sjellje më të kujdesshme, më shumë ndjeshmëri dhe reagim më të madh ndaj nevojave të foshnjës. Interesante është se këto ndryshime mund të nisin që gjatë shtatzënisë së partneres.
Në të njëjtën kohë, rritet oksitocina, i ashtuquajturi “hormoni i dashurisë”, që forcon lidhjen emocionale me fëmijën. Sa më shumë kohë kalon një baba me foshnjën, aq më shumë rritet ky hormon, duke krijuar një cikël pozitiv që nxit përfshirjen prindërore. Ndryshime vërehen edhe në hormone të tjera si prolaktina dhe vazopresina, të cilat lidhen me kujdesin dhe lidhjen emocionale.
Këto transformime nuk ndodhin vetëm në nivel hormonal. Studimet me skanime të trurit tregojnë se atësia “riformaton” edhe strukturën dhe funksionin e trurit mashkullor, një proces që disa studiues e krahasojnë me një “adoleshencë të dytë”. Sa më i përfshirë të jetë babai, aq më të thella janë këto ndryshime.
Shkencëtarët theksojnë se këto gjetje kanë edhe implikime sociale. Përfshirja e baballarëve që në shtatzëni dhe mbështetja përmes politikave si leja prindërore ndihmojnë në krijimin e lidhjeve më të forta familjare. Kjo nuk përmirëson vetëm mirëqenien e nënave, por ka ndikim të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin dhe shëndetin e fëmijëve.
Në thelb, biologjia tregon se babai që kujdeset për fëmijën nuk është një fenomen modern, por një aftësi e rrënjosur thellë tek njeriu- që aktivizohet sa më shumë ai përfshihet në jetën e fëmijës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje