Drejtësia

E akuzuar për fshehje pasurie dhe pastrim parash, zgjaten me 3 muaj hetimet për Alda Klosin. Avokati: Nuk ka prova

Gazeta Si - Zgjaten edhe me 3 muaj të tjerë hetimet për ish-zyrtaren Alda Klosi, e cila akuzohet për pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të gjetur edhe më shumë prova, duke zgjatur kështu afatet e hetimeve dhe të paraburgimit për 42-vjeçaren.

Avokati i Klosit, Arbër Hoxha deklaroi për mediat se shtyrja me 3 muaj e hetimit nuk është e ligjshme pas përfundimit të afatit 6 mujor dhe se Prokuroria nuk ka ende asnjë provë të arsyeshme për klienten e tij.

Në lidhje me qëndrimin për paratë e gjetura, Hoxha u shpreh se qëndrimi i Klosit është i ditur. Për 130 mijë euro ka dokumente të ligjshme, siç janë deklaratat noteriale të xhaxhait të saj, i cili tanimë nuk jeton më.

“Edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga arrestimi, prokuroria nuk na në dorë akoma akt-ekspertimin kontabël mbi të ardhurat e saj”, - shtoi ai.

Avokati i Alda Klosit, Arbër Hoxha, duke folur për mediat

Sa  i përket kërkesës së Klosit se nuk ka kush kujdeset për dy fëmijët e saj dhe nënën e verbër, avokati theksoi se asnjë nuk po kujdeset tani për ta.

Ai shpjegoi se djali i Klosit ka ndërprerë edhe marrëdhënien me shkollën, sepse ka kriza të ankthit dhe depresionit.

“Asnjë nuk po kujdeset. Klosi është e divorcuar. Ka dy fëmijë në ngarkim dhe nënën e verbër. Djali i saj ka lënë edhe shkollën, sepse ka kriza të ankthit dhe depresionit. Duke para edhe këtë situatë, masa duhet të ishte ndryshuar, por jemi në kushtet kur masa qëndron e njëjtë, gjykata në kundërshtim me ligjin ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për të zgjatur më 3 muaj afatin e paraburgimit”.

Në lidhje me përfshirjen e emrit të Alda Klosit në dosjen e “Arben Ahmetajt”, avokati sqaroi se nga SPAK nuk ka asnjë procedim për klienten e tij.

Sa i përket pjesës tjertër të parave, ai tha se i takon Prokurorisë të zbulojë origjinën, pasi Klosi pretendon se nuk janë të sajat.

“E çuditshme që në dosjen hetimore ka 3 procesverbale të 3 shtetasve të ndryshëm ku Rozeta Dobi ka punuar dhe është e çudishme që paska vjedhur sendet me vlerë dhe nuk paska vjedhur paratë. Kanë frikë të dalin pronarët e ligjshëm të pronarëve të lekëve”.

Historia doli në dritë, pasi në apartamentin e Alda Klosit në “rrugën e Kosovarëve” në Tiranë, u raportua se pati vjedhje.

Policia arrestoi si të dyshuar pastruesen e shtëpisë, Rozeta Dobi dhe djalin e saj si bashkëpunëtor, Havier Dobi.

Por dëshmia e punonjëses së pastrimit ndryshoi gjithçka. Dobi tha se 120 mijë euro që policia i gjeti në banesë, nuk i ka vjedhur, por se Alda Klosi ia kishte dhënë vetë për t’i fshehur në banesë.

Sipas hetimeve të deritanishme, dyshohet se Rozeta Dobi dhe i biri, vodhën në dhjetor 2022 një shumë të konsiderueshme nga banesa e saj që besohet se është 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë floriri, që besohet i përkasin pikërisht Klosit.

Megjithatë pastruesja Rozeta Dobi dhe i biri këmbëngulin se i morën paratë për t’i ruajtur, e veç tyre edhe 400 mijë euro të fshehura në aspiratorin e banesës së tyre.

Kjo shumë e ka bindur prokurorinë se duhet të hetojë nëse ish-zyrtarja e lartë Klosi po pastronte apo jo para të fituara nga korrupsioni.

Ish-zyrtares i janë sekuestruar një apartament dhe një garazh në pronësi të saj, pasuri këto, që nuk i kishte të deklaruara. Ndaj saj rëndojnë akuzat për tre vepra penale: për pastrim parash, fshehje pasurie dhe deklarim të rremë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë