Muzike

E talentuar, seksi dhe një nga yjet e Pop-it. Dua Lipa mbush 27 vjeç

Nga Gazeta Si - E talentuar dhe super seksi, Dua Lipa është një nga yjet e pop-it me rritjen më të shpejtë të viteve të fundit: albumi i saj i dytë “Future nostalgjia” e ka shenjtëruar atë në mesin e artistëve të mëdhenj ndërkombëtarë, pavarësisht se u publikua në një periudhë (mars 2020) në të cilën bota ishte duke u përgatitur për të hyrë në izolim dhe u soll live vetëm dy vjet më vonë: këngët shumë energjike si “Physical” dhe “Levitating” e çuan menjëherë albumin në krye të top listave britanike dhe më pas e bënë që të fitonte çmimet Brit dhe Grammy.

E lindur në Londër më 22 gusht 1995, por gjithmonë krenare që është me origjinë shqiptare, këngëtarja mbush sot 27 vjeç. Dua është emri i saj i vërtetë, jo shkurtim apo pseudonim: u zgjodh nga gjyshja dhe ka të njëjtën rrënjë me fjalën “dashuri”.

Origjina shqiptare (dhe polemikat)

Dua Lipa është krenare për origjinën e saj shqiptaro-kosovare dhe shpesh e thekson këtë: prindërit e saj emigruan nga Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, në Britaninë e Madhe dhe ajo flet rrjedhshëm anglisht dhe shqip. Nja dy vjet më parë, një postim i saj në Twitter për këtë temë megjithatë ndezi njëfarë polemike: ajo i referohej një lloj “Shqipërie të Madhe”, duke treguar një hartë në të cilën vendi përfshinte gjithashtu pjesë të Malit të Zi, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjithashtu edhe Kosovën.

Prandaj, ylli i popit u akuzua për nacionalizëm dhe ekstremizëm, veçanërisht nga fqinjët serbë, por më pas shpjegoi se ajo nuk kishte ndërmend të shprehte gjykime gjeopolitike, por donte të përcillte mesazhin e të qenit krenar për rrënjët e veta.

Festivali në Kosovë

Një pjesë e pasionit të Dua Lipës për muzikën erdhi nga babai i saj, Dukagjin Lipa, i cili ishte një muzikant rock në një grup të ri kosovar. Së bashku me të, Dua themeloi “Sunny Hill Foundation”, një organizatë bamirëse që punon për të ndihmuar artistët e rinj kosovarë pa mundësi financiare. Shoqata i dha jetë edhe “Sunny Hill Festival”, një ngjarje muzikore që në pak vite është kthyer në një nga më të rëndësishmet në Ballkan:  këtë vit në mesin e të ftuarve që performuan në skenë ishte edhe Mahmood i cili nuk e humbi rastin për një foto me ‘zonjën e shtëpisë’.

Miqësia me Chiara Ferragni

Në mesin e miqve të shumtë VIP të Dua Lipës, është edhe Chiara Ferragni: sipërmarrësja dixhitale dhe ylli i popit janë takuar disa herë, siç e tregojnë fotot e postuara pashmangshëm në rrjetet sociale, ndërsa vitin e kaluar në profilet e Duas u shfaq edhe një video me Leone-n e vogël – Ferragnez-in e parë – që e pa këngëtaren në TV dhe e njohu “mikeshën e së ëmës”.

Jeta private

Instagrami i saj me gati 86 milionë ndjekës muajt e fundit ka kryesisht foto nga skenat apo pasarelat: Dua Lipa duket e fokusuar në jetën e saj profesionale dhe jo në dashuri, të paktën që nga fundi i vitit 2021, pas lidhjes prej dy vitesh me Anwar Hadid, vëllai i vogël i supermodeleve Gigi dhe Bella Hadid.

Marrëdhënia me Anwarin (vetë modelin) fotografohej dhe përflitej shpesh. Para tij, siç dihet, Dua Lipa ka qenë e fejuar me Paul Klein, këngëtarin e grupit amerikan Lany dhe me shefin anglez të kuzhinës, Isaac Carew.

Marrë nga Il Corriere della Sera, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë