Futboll

E shkuara dhe e ardhmja, Mesi “voton” Ronaldon si më të mirin

Qetësi, po flet Lionel Mesi. Ylli argjentinas i Barcelonës ka dhënë një intervistë për “TyC Sports”, ku ka prekur argumente të ndryshëm. Mes të tjerash ka thënë se dëshiron të kthehet në Argjentinë për të luajtur me Newell’s, por nuk mund ta bëjë për arsye familjare.

Argumenti i parë në intervistën e Mesit ishte VAR-i, për të cilin sulmuesi është kritik. “Teknologjia në futboll më pëlqen, por nuk po përdoret mirë. Duhej të hiqte dyshimet, por sërish janë arbitrat ata që vendosin në mënyrë të pavaruar nga ajo që ndodh realisht në fushë”, - shprehet Mesi. Më tej, numri 10 i Barcelonës rrëfehet për raportet me disa kolegë, duke u kthyer tek ai që ka qenë shoku i tij i parë i rëndësishëm: “Ronaldinjo më ka ndihmuar shumë. Hyra në dhomat e zhveshjes së Barcelonës kur isha 16-17 vjeç dhe të shihje gjithë ata fenomenë aty ishte pak e komplikuar. Dinjo u kujdes për mua dhe më bëri të ndihesha pjesë e grupit. Në fushë e kërkoja gjithmonë, por janë pak vitet që kemi kaluar bashkë. Do të doja të luaja më shumë më të”.

Lionel Mesi dhe braziliani Ronaldo. Gazeta Si, 27 tetor 2019

Tani Mesi shoqërohet jashtë fushe me shokun e repartit, me uruguaianin Luis Suarez. “Me Luis Suarezin jemi bashkë prej 5 vitesh, jemi mësuar dhe luajmë përmendësh. Kemi fëmijë që kanë të njëjtën moshë dhe ditë pas dite raporti mes nesh është më i ngushtë”. Pastaj, i pyetur për dikë, me të cilin nuk ka luajtur, por që e admiron, Mesi ka thënë: “Ronaldo ishte një fenomen. Nga sulmuesit që kam parë, ai është pa dyshim më i miri. Ishte vërtet impresionues”. Dhe e ka fjalën për brazilianin…

Çfarë do të bëjë Mesi vitet e fundit të karrierës së rij? Ëndrra është të kthehet në Argjentinë, por ka një kundërshtar të pakalueshëm brenda shtëpisë. “Nuk lëviz nga Barcelona. E kam ëndërr të luaj me Newell’s në Argjentinë, por nuk e di nëse mund të realizohet. Kam një familje, që ka prioritet para çdo dëshire timen. Të shohim, por e vërteta është se kam tre fëmijë dhe jetoj në një vend që më ka dhënë gjithçka e falë Zotit jam i qetë. Mund t’u ofroj fëmijëve të mi një të ardhme të bukur dhe kjo vlen më shumë se të luaj në Argjentinë. Thiago është rritur dhe ka miqtë e tij tashmë. Kur i them me shaka se do të ikim, bëhet nervoz. Kur shkojmë një muaj në Argjentinë, do të kthehet në Barcelonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë