Bota

E pranon edhe Kim Jong-un, Koreja e Veriut në krizë serioze urie

Koreja e Veriut e Kim Jong-un ka humbur mundësinë e madhe për të arritur një marrëveshje me Donald Trump dhe tani, pothuajse e injoruar nga Joe Biden, ka humbur betejën për grurin. "Situata e ushqimit për njerëzit është e tensionuar dhe po përkeqësohet, sektori i bujqësisë nuk ka arritur të arrijë qëllimin e tij në prodhimin e drithërave", - pranoi Marshalli, duke folur në Komitetin Qendror të Partisë së Punëtorëve.

Për këtë, janë fajësuar tajfunët që goditën vendin vitin e kaluar pas një thatësire të jashtëzakonshme dhe masat kundër pandemisë, që detyroi mbylljen e kufirit me Kinën, e vetmja rrugë e qëndrueshme tregtare.

Fjalimi i Kim pasqyron analizat e bëra jashtë vendit për vështirësitë e Phenianit. Sipas FAO-s, nëse deficiti i të korrave nuk plotësohet me importe dhe ndihmë ndërkombëtare, popullata do të përballet me një krizë serioze ushqimore midis gushtit dhe tetorit.

Në vitin 2020, një milion ton furnizime mungonin: kjo do të thotë se koreano-veriorët kishin 445 më pak kalori në ditë sesa 2,100 të rekomanduara nga Kombet e Bashkuara. Këtë vit, 1.35 milionë ton ushqim do të mungojë, sipas agjencisë së Koresë së Jugut që monitoron Veriun.

Kim kishte përmendur në prill nevojën për të ndërmarrë një "marshim të mundimshëm për të lehtësuar situatën e masave". Kjo shprehje hyri në gjuhën e regjimit në vitet 1990, kur uria vrau qindra mijëra njerëz.

Nuk duket se kriza aktuale është e krahasueshme me atë të asaj kohe, por organizatat humanitare paralajmërojnë se 10 nga 25 milionë koreano-veriorë janë të keq ushqyer në mënyrë kronike.

Kim kishte plane të mëdha ekonomike (si dhe raketa) kur trashëgoi pushtetin nga babai i tij në vitin 2011: "Njerëzit tanë nuk do të duhet më të shtrëngojnë rripat e tyre", - tha ai. Dhjetë vjet më vonë, ai pranoi se plani i zhvillimit ekonomik "ka rezultuar i dobët në pothuajse të gjithë sektorët".

Goditja më e rëndë, përveç përmbytjeve në fusha, ishte vetë-ndëshkimi: Koreja e Veriut, duke mbyllur kufirin me Kinën për shkak të pandemisë, hoqi dorë nga shkëmbimet ekonomike me botën e jashtme, tashmë të reduktuara pas sanksioneve të miratuara në 2016-2017 për të ndëshkuar regjimin që vazhdoi të lëshonte raketa dhe të kryente prova bërthamore.

Në vitin 2015, tregtia me Kinën ishte me vlerë 6 miliard dollarë në vit; në vitin 2019 ajo kishte rënë në 2.8 miliardë dhe vitin e kaluar u reduktua në një rrjedhje prej 540 milionë. Një rikuperim nuk pritet, sepse Kim tha se izolimi kundër koronavirusit duhet të vazhdojë (padyshim që ai nuk i beson as fushatës së vaksinimit që po zhvillohet në Pekin).

Propaganda fton popullatën të riciklojë çdo material, nga plastika tek pëlhura, letra, qelqi. Ka gjithashtu një mungesë të plehrave kimikë për fushat dhe sipas Radio Azisë së Lirë, fermerët janë urdhëruar të furnizojnë fermat shtetërore me dy litra urinë në ditë.

Ndoshta këto janë vetëm thashetheme, por regjimi njoftoi në maj se qindra adoleshentë jetimë ishin bërë vullnetarë për të punuar në miniera dhe fusha për t’i "shlyer besimin dhe dashurinë që Partia u ka dhënë atyre".

Andrei Lankov, një profesor rus me qendër në Seul, i cili është një ekspert në çështjet e Koresë së Veriut, thotë se Kim po i kthehet planifikimit të centralizuar në modelin e vjetër sovjetik për të ringjallur sektorin e bujqësisë.

Historia e BRSS-së (dhe e Koresë së Veriut me gjyshin dhe babanë e Kim-it) ka mësuar se sistemi i fermave shtetërore të kolektivizuara, i cili solli të korrat në magazinim, kurrë nuk i ka shtyrë fermerët të punojnë më mirë dhe më shumë. "Fshatarët e BRSS-së thoshin: Partia bën sikur na paguan, ne bëjmë sikur punojmë".

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë