Taksa

“E nxituar lufta me doganat serbe e boshnjake. Dëmton Kosovën”

Sabina Veizaj - Eskpertët e ekonomisë Zef Preçi dhe Ilir Ciko shprehen kundër tarifës 10% që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës.

Sipas tyre, vendimi shkel marrëveshjen e tregtisë së lirë të CEFTA-s.

Kurse Elvin Meka gjykon se masa të tilla, në kushtet e sotme, janë me natyrë të pastër politike, nisur nga situta në rajon dhe përpjekjet që po vijon Serbia për të penguar njohjen e Kosovës dhe më tej, minimin e përpjekjeve të kësaj të fundit për sigurimin e lëvizje së lirë të shtetasve  kosovarë.

Zef Preçi

“Mendoj se Kosova po vepron gabim duke vendosur tarifë importi për mallrat nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina sepse shkelet marrëveshja e tregtisë së lirë. Dëmtohet edhe vetë Kosova. Mendoj që është lëvizje politike dhe nuk ka të bëjë me cilësitë e ekonomisë së tregut, as me ndërtimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe Europian. Nga pikëpamja ekonomike besoj se kjo mund ti kontribuojë pozitivisht riorientimit të tregjeve drejt Shqipërisë. Mbetet për tu parë nëse qeveria shqiptare do të tentojnë drejt optimizmit të kostos se përndryshe nuk do kishte përfitim.”- thotë Zef Preçi.

Ai nuk beson se ky vendim do të zgjasë. “Është veprim autarkik, të mbyllësh marrëdhëniet tregtare me një ekonomi tradicionale siç është Serbia. Është e vjetër teoria e mbylljes së tregjeve kombëtare, Serbia  është një partner normal tregtar.”- thotë Preçi.

Ilir Ciko

Ndërsa Ilir Ciko thotë që “Kosova mund të ketë nga ana politke probleme me Serbinë, por ajo duhet të respektojë marrëveshjen e CEFTA-s. Është e detyruar të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare që ka lidhur. Është e nxituar si masë, sepse janë të dëmshme si për Kosovën, Serbinë dhe Rajonin. Nga përvojat e mëparshme janë veprime të nxituara që më shumë e kanë dëmtuar Kosovën se e kanë ndihmuar.”

Elvin Meka

Sipas Mekës, masa të tilla do prekin drejtpërdrejt konsumatorin final ne Kosovë. Pasi në mënyrë të paevitueshme, thotë ai, mallrat e Serbisë mbeten me shumë ndikim në ekonominë dhe konsumin e përditshëm në Kosovë, nisur dhe nga e kaluara historike, brenda kuadrit të Jugosllavisë. “Në afat të shkurtër kjo masë mund të nxisë modessisht prodhimin vendas, por gjithsesi nuk parashikoj një hov të madh të këtyre produkteve vendase të ekonomië së Kosovës, apo një rritje domethënëse të produkteve zëvendësuese nga Shqipëria. Duhet të kihet parasysh se Shqipëria nuk mund të prodhojë për eksport shumë nga produktet industriale që prodhon dhe eksporton Serbia drejt Kosovës, kështu që ndikimi do të jetë jo domethënës, ndoshta me përjashtime në kulturat bujqësore.”

Si ndikim negativ politik për Kosovën , shprehet Meka, do të jetë trysnia që do të ushtrojnë strukturat ekonomike dhe politike të BE-së, të cilat janë aktivisht të angazhuara dhe interesuara për tregje të hapura dhe heqjen e barrierave artificiale, në rajon e më gjerë.

Por bizneset kosovare janë vendosur përkrah qeverisë në këtë vendim duke e konsideruar atë si të vonuar.

Marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet fqinje, në vazhdimësi kanë shfaqur probleme të shumta. Barrierat tregtare që shtetet si Serbia dhe Bosnje e Hercegovina u kanë vënë produkteve nga Kosova, ka bërë që edhe Prishtina të reagojë, duke vendosur masa reciprociteti.

Vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, Serbia dhe Bosnje Hercegovina ndaluan produktet e Kosovës në tregjet e tyre, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në Doganat e Kosovës.

Ajo masë vazhdoi deri në vitin 2011, kur Qeveria e Prishtinës vendosi masa të plota reciproke për produktet e Serbisë, ndërsa taksë doganore prej 10 për qind për të gjitha mallrat që vinin nga Bosnja e Hercegovina.

Këto dy shtete vazhdojnë edhe sot t’u paraqesin kohë pas kohë barriera produkteve “Made in Kosova”

Për ekspertët kosovarë, problemet në zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s qëndrojnë te barrierat jotarifore.

Por nga ana tjetër, importuesi më i madh në Kosovë, për gati të gjitha produktet mbetet Serbia. Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se, vetëm vitin e kaluar vlera  produkteve të importuara nga ky shtet ishte 450 milionë euro. Kurse shuma vlera e produkteve të Kosovës të eksportuara në tregun e Serbisë është 48 milionë euro.

Kurse importi i produkteve të Bosnjë Hercegovinës vitin e kaluar ka qenë 81 milionë euro dhe vlera e produkteve të Kosovës të eksportuara në këtë shtet është 8.7 milionë euro.

CEFTA është një marrëveshje ndërkombëtare e krijuar nga ana e Bashkimit Europian me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kosova është anëtare e këtij organizmi që nga viti 2007.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë