Njerez

E mban inatin dy vjet, ia nxjerr dufin derës së fqinjëve

E qëllova me shkelm se mu kujtua sharja

Nga Gazeta "Si"- Një shtetase e cila dëgjoi zhurma jashtë shtëpisë denoncon se dikush e goditi me shkelma derën e banesës për të marrë hak ndaj saj dhe bashkëshortit. Por personi i identifikuar më pas përmes kamerave të sigurisë, nuk përdori asnjë send të fortë dhe as mjete të ndaluara.

Ai e qëlloi derën me grushta dhe shkelma dhe sipas tij, ky veprim u krye mbasi nuk i kontrolloi dot nervat kur kaloi përpara shtëpisë së çiftit me të cilin ishte grindur në fund të 2019. Ngjarja e “rrahjes” së derës u kallëzua në komisariatin numër 6 deklaruan burimet policore të gazetës “Si” që ju referuan dëshmive të të dyja palëve, të cilat në mbyllje të procesit hetimor në polici i dhanë dorën njëra tjetrës, mbasi moskuptimin e kishin sqaruar edhe në atë kohë.

Çështja iu la nervave, shton një oficer policie që mbajti shënim ankesën penale të shtetases e cila jeton në rrugën Shaban Bardhoshi.

“Kur dëgjova zhurmat në portë po vija fëmijët në gjumin e drekës. U afrova të shikoja, por nuk vërejta gjë. Më pas pashë kamerat e sigurisë dhe aty vërejta një person me kapele që po godiste me duart e shkelma portën”.

Gruaja shton për policinë se e ka identifikuar menjëherë agresorin i cili është një i ri që jeton ngjitur me banesën e tyre.

“Më tepër se dy vjet më parë ne kishim një konflikt me ta sepse na dëmtuan derën e jashtme pa dashje. Dhe ne e sqaruam këtë konflikt. Herë tjetër nuk kemi pasur asnjë problem dhe gjithçka ka shkuar mirë,“- deklaron sipas burimeve, e reja, e cila edhe në rastin e parë është paraqitur në polici për dëmtim të pronës duke kryer denoncim që u mbyll mbasi nuk kishte vepër penale.

Policia i thotë gazetës “Si” se kreu veprimet e duhura hetimore, siç është sekuestrimi i kameras së sigurisë dhe konstatoi se dera e jashtme nuk kishte asnjë dëmtim. Më pas thirri të dyshuarin. Ai e ka pranuar menjëherë veprimin absurd.

“Para dy vitesh patëm një incident të vogël dhe ata më ofenduan. Këtë veprim e bëra nga nervat , kalova para portës dhe u kujtova për sharjen dhe më hipi gjaku në kokë dhe ndaj e qëllova portën me shkelm”,- thotë i dyshuari në policinë numër 6.

Policia ka pyetur të dyja palët ku përfshihet edhe kryefamiljari i derës së shkelmuar, nëse kishte apo jo pretendime të tjera, por ai e ka mbyllur bisedën duke ngritur supet.

“Ditën që e qëllloi portën me shkelma dhe duar, u ngrita dhe shkova tek fqinjët. I pyeta nëse kishin ndonjë problem tjetër dhe përse burri i shtëpisë e qëllloi portën. Por ai kërkoi falje duke u shprehur se fajin e kishte kujtesa që nuk ia kishte fshirë sharjen. Gruaja ime këmbënguli se kjo gjë duhej të paraqitej në komisariat dhe nuk e kundërshtova”, rrëfen kryefamiljari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë