Politike

E marta, Rama e vendosi si afat, opozita kërkon mbledhje

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë kërkuar mbledhjen e Këshillit Politik ditën e martë. Vendimi është marrë fill pas takimit që kreu i PD-së, Lulzim Basha pati me ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe për këtë çështje.

As ambasadorët dhe as Partia Demokratike nuk komentoi këtë takim, por më herët të trija përfaqësitë shtuan dozat e presionit ndaj klasës politike shqiptare që të përmbyllë pa vonesa reformën zgjedhore.

Tashmë, përmes një kërkese të Oerd Bylykbashit nga PD dhe Petrit Vasilit nga LSI propozohet që Këshilli Politik të mblidhet ditën e martë. Synimi mbetet i njëjti: gjetja e konsensusit për çështjet e nxehta që presin në tavolinë.

“Në vijim të diskutimeve të deritanishme dhe faktit që mbledhja e datës 31 maj 2020 nuk u zhvillua, me synim gjetjen e konsensusit për çështjet e përcaktuara në agjendën e Këshillit Politik, propozojmë mbledhjen e Këshillit nesër datë 2 qershor 2020, në orën 17.00”, thuhet në kërkesën e opozitës.

Por më herët Kryeministri Edi Rama nënkuptoi se mazhorancës po i sos durimi dhe njoftoi se po të martën do të flasë në lidhje me reformën zgjedhore...pse jo duke iu drejtuar edhe nje rruge miratimi pa konsensusin e PD-LSI.

"Sa për Reformën Zgjedhore dhe dizinformimet që vazhdojnë, do të presim edhe sot pa folur pasi kemi bërë pjesën tonë duke respektuar afatin 31 maj", shkroi Rama në Twitter.

Mes dështimit dhe arritjes së konsensusit qëndrojnë tre çështje. E para lidhet me identifikimin biometrik të votuesve. Opozita kërkon që ky identifikim të zbatohet në të gjithë vendin, ndërsa socialistët propozojnë fillimisht një projekt pilot, që do të përfshijë deri në 10 për qind të elektoratit.

Pika e dytë lidhet me depolitizimin e administratës zgjedhore, që është edhe një rekomandim i OSBE/ODIHR. Socialistët këmbëngulin tek kjo pjesë. PD dhe LSI nga ana tjetër janë tërhequr disi nga qëndrimi fillestar kundër këtij propozimi dhe duken të gatshëm që të japin konsensusin për të, por e kanë kushtëzuar depolitizimin e administratës me identifikimin biometrik 100 për qind.

Pika e tretë lidhet me Kolegjin Zgjedhor. Mazhoranca propozon që anëtarë të këtij kolegji të jenë vetëm gjyqtarët e Apelit që kanë kaluar procesin e vettingut, ndërsa opozita fillimisht propozoi që pjesë e këtij Kolegji të bëheshin gjyqtarë të të gjitha shkallave të gjyqësorit, edhe pa e kaluar vettingun.

Por, ditët e fundit opozita ka paraqitur një propozim të ri, sipas të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të marrë kompetencat e Kolegjit Zgjedhor. Socialistët shprehin rezerva për këtë propozim dhe deklarojnë se ky propozim mund të kërkojë ndërhyrjen në Kushtetutë, pasi Kushtetuta i ka të përcaktuara kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, palët kanë rënë dakord për një mori çështjet të tjera, duke filluaar që nga kamerat në qendrat e votimit, aktivizimin e SPAK-ut në hetimin e krimit zgjedhor, imunitet penal ndaj personave që denoncojnë krimet zgjedhore, hapje e kutive të votimit me kërkesa të partive, kur ka dyshime të arsyeshme për mospërputhje numri votuesish me fletët e votimit, financimi në fushatë eleketorale dhe vendosja e një perimetri të gjerë sigurie rreth qendrave të votimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë