Futboll

“E kuptuat tani? Futbolli është vetëm një simulim i realitetit”

"Futbolli është dukur i rëndësishëm deri në momentin që Koronavirusi i tha të vërtetën: është vetëm një simulim i realitetit. Do ta them duke evidentuar madhështinë e tij kulturore: një simulim i lavdishëm i realitetit". Është kjo deklarata e një emri të madh të futbollit botëror, argjentinasit kampion bote Horge Valdano.

Ish-ylli i Real Madridit, në rubrikën e tij javore tek “El Pais”, ka folur për emergjencën sanitare që ka përfshirë botën dhe më shumë Italinë dhe Spanjën. Valdano nxjerr në pah pamundësinë e futbollit në këtë situatë.

Horge Valdano me fanellën e Argjentinës. Gazeta Si, 28 mars 2020

"Koronavirusi e ka larguar vëmendjen nga futbolli dhe heronjtë e tij. Duartrokitjet janë zhvendosur nga stadiumet te ballkonet. Futbolli është mësuar keq, reziston dhe nuk dëshiron të zbresë nga skena për të diskutuar si dhe kur do të rifillojë festa". Sipas argjentinasit, nuk është vetëm futbolli, por sporti në përgjithësi që vazhdon të kërkojë “kapelën” e tij në mes të këtij kaosi të madh social. Një shuplakë ndaj futbollit të sotëm nga një emër i madh si Horge Valdano, drejtues i Realit.

Ditët e fundit në gjithë botën e futbollit po flitet për reduktimin e pagave të futbollistëve për shkak të situatës së vështirë të krijuar nga pandemia e Koronavirusit. Në disa klube ka qenë vullneti i vetë lojtarëve, ndërsa në disa të tjerë, si për shembull te Barcelona, klubi ka mosmarrëveshje me lojtarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë