Futboll

E Djathta spanjolle sulmon Guardiolën, Barcelona anulon aktivitetet

Pep Guardiola nuk është asnjëherë indiferent kur në mes është çështja e pavarësisë së Katalonjës. Videomesazhi i tij për platformën "Tsunami Democratic" ka marrë sërish vëmendje. Trajneri spanjoll i Mançester Sitit ka kundërshtuar me forcë dënimin e 12 drejtuesve politikë të akuzuar për pjesëmarrje në ngjarjet pro pavarësisë së Katalonjës dy vjet më parë, që kulmuan me referendumin ilegal të 1 tetorit 2017.

Gjykata Supreme spanjolle ka dënuar 12 liderët e lëvizjes pro pavarësisë, dënime që shkojnë nga 9 në 13 vjet heqje lirie. Guardiola është treguar i ashpër në videomesazhin për “BBC”-në dhe “France Presse”. Ai ka folur për "shtet autoritar” dhe më pas është sulmuar nga Ines Arrimadas, numri 2 i Parlamentit dhe i së Djathtës spanjolle, “Ciudadanos”. "E admiroja Guardiolën si lojtar dhe trajner, por duhet t’i dënoj qëndrimet e tij si “politikan”. Shumë kurajoz për të shpifur për Spanjën, por asnjë fjalë për Katarin, ku pasurohet. Në demokracinë tonë ka vend për çdo ideologji, por jo për shkelje ligjesh:, - ka shkruar Arrimadas.

Barcelona ndërkohë ka vendosur të anulojë të gjitha aktivitetet zyrtare të parashikuara për këtë javë, duke parë krizën politike dhe sociale të Katalonjës në këto orë. Klubi katalanas kishte parashikuar inaugurimin e dyqanit të ri dhe festimet për 40-vjetorin e “Masia”-s. Gjithçka është shtyrë. Barcelona do të luajë në Madrid ndaj Atletikos në fund të nëntorit me fanellën e katërt, që ka imazhet e “Senyera”, flamurit simbol të pavarësisë. Një tjetër gjest jo i rastësishëm nga ana e klubit katalanas, që pas vendimit të gjykatës doli me një komunikatë të titulluar: "Burgu nuk është zgjidhje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë