Futboll

E bujshme nga Amerika, Ibrahimoviç kthehet te Milani

"Ibrahimoviç do të kthehet te Milani”. Bomba vjen nga Amerika dhe është një fjali e thënë nga drejtuesi kryesor i futbollit amerikan, komisioneri i MLS-së Don Garber, gjatë një interviste për “Espn”-në. Ai nuk lë vend për interpretime. "Zllatan është një personazh interesant, futbolli ynë ka nevojë për të tillë lojtarë, siç ka ndodhur me Bekhamin vite më parë. Ai është 38 vjeç dhe është duke u kthyer te Milani, një nga klubet më të mëdhenj në botë. Ka thyer çdo rekord me golat e shënuar, shpresoj ta shoh në MLS, por varet nga Galaksi. Jam shumë i lumtur që e kam pasur këtu dhe më pëlqejnë momentet me të, sidomos kur flet në vetën e tretë", - ka shtuar Garber.

Klubi i Los Anxhelosit nuk i ka humbur shpresat për ta mbajtur sulmuesin suedez në ekip. "Qëndron apo ikën? E vërteta është se as ne nuk e dimë, - ka thënë dy ditë më parë Guilermo Barros Skeloto, trajneri i Galaksi. – Një vendim do jetë marrë deri javën e ardhshme". Kurse menaxheri i përgjithshëm i klubit amerikan, Denis te Kloese, është shprehur: "Duhet të jemi të kujdesshëm. Ibra ka shënuar një “ortek” golash për skuadrën tonë, por e dimë që ka opsione të ndryshme. Kush nuk e do Ibrën?".

Ibrahimoviç, kur luante me Milanin. Gazeta Si, 8 nëntor 2019

Në Itali e shohin me dyshim rikthimin e Ibrahimoviçit te Milani, duke marrë në konsideratë faktin se suedezi ka një rrogë të lartë dhe klubi kuqezi aktualisht ka vështirësi financiare. Sulmuesi veteran e ka thënë gjithmonë se i pëlqen të kthehet në Itali dhe jo pak herë ka përmendur Milanin. Edhe pse është 38 vjeç, me formën sportive që ka, Ibrahimoviç do t’i bënte punë Milanit në këtë moment.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë