Taksa

E bardha e borës nxiu koncesionin e Rrugës së Kombit, qytetarët mund ta padisin qeverinë

Dëbora e parë për 2019-ën hapi plagë të vjetra në lidhje me koncensioarin e shumëdebatuar të Rrugës së Kombit.

Megjithëse kompania ka deklaruar se ka në dispozicion 25 borëpastruese dhe punën e saj e ka pasqyruar vazhdimisht në faqen e saj të Facebook, situata në rrugën Milot- Morinë, veçanërisht nga Tuneli i Kalimashit deri në Rrëshen ka qenë tepër problematike ditën e mërkurë dhe të enjte.

Si automjetet e vogla, ashtu edhe kamionët kanë mbetur për orë të tëra pa lëvizur për shkak të dëborës së dendur që shtroi dhe rreshjeve me intensitet të lartë.
Bllokimin e rrugës e kanë konfirmuar si udhëtarë individë, ashtu edhe biznese eksportuese.
“Aksi Milot Morinë, është i kalueshëm në gjithë gjatësinë e tij! Trafiku është i rrjedhshëm dhe pa probleme! Shoqëria koncesionare vazhdon monitorimin, pastrimin e rrugës dhe kriposjen e këtij aksi!”- shkruan kompania koncensionare “Albanian Highway Concession” në faqen e saj në facebook, por komentet e qytetarëve, fotot dhe videot nga Rruga e Kombit e përgënjeshtrojnë.

“Gënjeni ata që nuk kan kaluar sot”, ka shkruar një qytetar poshtë informimit nga ana e kompanisë për situatën e kalueshmërisë së rrugës duke postuar një foto me rrugën e papastruar nga dëbora.

“Albania Highway njofton: të gjitha rrugët janë të kalueshme: Ose me varkë, Ose me zinxhirë, Ose me ski. Udhëtim të mbarë! Turp t’ju vijë si kurrë më parë s’keni bo asnjë lloj pastrimi, as hedhje kripe, ju jeni thjesht gjatë verës me bo xhiro kot sa për dukje si policë ambientalistë”- komenton një tjetër qytetar.

Gazeta “Si” u përpoq të lidhej përmes telefonit me Autoritetin Rrugor Shqiptar në lidhje me situatën dhe detyrimet që i dalin koncesionarit për mirëmbajtjen e rrugës sipas kontratës, por ARRSH nuk u përgjigj.

Gazeta “Si” kontaktoi disa juristë për të pyetur se si veprohet në raste të tilla dhe të ngjashme me të dhe ata u përgjigjën se, në parim banorët, (dmth publiku) në rastin që u shkaktohen dëme mund të ngreë padi ndaj autoriteti publik që ka dhënë koncesionin e mirëmbajtjes së rrugës dhe/apo ndaj personit juridik apo fizik që duhet të mirëmbajë rrugën. Po ashtu, sipas juristëve, padinë mund ta ngrerë edhe ndonjë shoqatë duke iu bashkuar banorëve.

Rruga e Kombit shënon rastin e parë në historinë e financimit të veprave publike me koncesion që administrohet dhe mirëmbahet me pagesë direkt nga përdoruesit duke i lënë jo vetëm të pakënaqur nga tarifa e lartë e shërbimit, por edhe duke iu prishur punë në raste si moti jo i favorshëm me orë të tëra në trafik.

Aktualisht qytetarët paguajnë tarifë shërbimi sa herë kalojnë traun në Kukës.

Taksimi
Klasa 1 motorr – 2.5 Euro
Klasa 2 veturë – 5 Euro
Klasa 3 autobus & kamioncine – 11.2 Euro
Klasa 4 kamion i mesëm – 16.2 euro
Klasa 5 kamion i rëndë – 22.5 euro

Sipas parashikimeve nga kontrata, të ardhurat e kompanisë pritet të jenë rreth 400 milionë euro gjatë 30 vjetëve, nga të cilat rreth 338 do të financohen nga taksat dhe 66 milionë euro nga buxhetit i shtetit, kryesisht për trafikun e munguar.

Koncensionari mirëmban vetëm aksin Milot – Morinë prej 110 kilometrash nga 160 kilometra që ka autostrada Durrës – Morinë.

Subvencioni i Kontratës koncesionare ”Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë” 8,580,000,000
Supervizion i kontratës koncensionare për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë 290,412,000
Defekte të fshehura të kontratës koncesionare për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen, rehabilitimin e autostradës Milot – Morinë 563,000,000
Totali 9,433,412,000

Për autostradën Durrës- Morinë nisi të flitej që në 1999-ën dhe historia e abuzimit të madh me fondet u ndërtua si një legjendë.

Qeveria e atëhershme e drejtuar nga Pandeli Majko vendosi një taksë, e njohur tashmë si “taksa Majko” dhe të ardhurat që do të grumbulloheshin prej saj do të shkonin për ndërtimin e rrugës. Një taksë mjaft e debatueshme, pasi ende nuk dihet se ku shkuan paratë që u mblodhën. Dhe qeveritë pasardhëse vijuan historinë e shtimit të taksave.

Të dhënat e Open Data Albania tregojnë se rruga u ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë 98.7 miliardë lekë dhe ka qenë arsyeja e kapërcimit të borxhit shqiptar mbi nivelin e 60 për qind të PBB-së në periudhën 2007-2010, kur edhe u ndërtua.

Qytetarët e Kukësit të mbështetur edhe nga Këshilltarët Bashkiakë dolën në protestë gjatë vitit 2018 për taksën e radhës në lidhje me Rrugën e Kombit duke e konsideruar atë abuzive. Protesta gjeneroi në dhunë, pasi protestuesit sulmuan me gurë e i vunë zjarrin ndërtesave që do të shërbenin për mbledhjen e tarifës së shërbimit. 25 qytetarë u arrestuan dhe u dënuan pas protestës me akuza të shkatërrimit të pronës e kundërshtimit të policisë.
Rezistenca e qytetarëve pati rezultat, pasi kreu i qeverisë vendosi të ndërtonte një paketë enkas për qytetarët e Kukësit, përmes së cilës banorët e qarkut do të paguanin vetëm 100 lekë për ata që përdornin shpesh rrugën.

Odisea e Rrugës së Kombit me sa duket nuk ka përfunduar këtu…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë