Futboll

E ardhmja e Lionel Mesit një rebus, Barcelona dhe tre opsione të tjera

Gazeta Si – Në Spanjë po flitet gjithmonë e më shumë për rikthimin e Leo Mesit. Sipas ‘Mundo Deportivo’, Barcelona, duke përfituar nga fakti që kontrata e argjentinasit me PSG-në përfundon më 1 korrik, dëshiron ta rikthejë në Katalonjë.

Drejtuesit e Barcelonës janë gati t’i ofrojnë Mesit një ose dy vjet kontratë, falë të ardhurave ekstra prej 200-300 milionë eurosh nga merketingu, sponsorët dhe biletat e ndryshme. Por, sipas ‘Sport’, sulmuesi ka katër opsione në tavolinë dhe duhet të zgjedhë.

Lionel Mesi. Gazeta Si, 19 prill 2023

Një opsion është Al-Nasr, skuadra arabe ku luan Kristiano Ronaldo dhe që ka gati një mega ofertë prej 400 milionë eurosh në sezon. Opsion tjetër është ai i MLS-së, konkretisht Inter Majemi i Devid Bekhamit. Opsioni i 3-të është ai i qëndrimit te PSG, por me një rritje page, ndërsa opsioni i 4-t është rikthimi te Barcelona.

Mesi dëshiron të qëndrojë në Europë për të fituar sërish “Topin e Artë”. Dhe për momentin është kandidati kryesor pas asaj që bëri në Botëror. Nuk është më sekret që ai dëshiron të veshë sërish fanellën e Barcelonës. Presidenti Laporta pretendon se ka "një borxh moral me Mesin" pas largimit të tij.

Për më tepër, është edhe mundësia që të stërvitet nga ish-shoku i skuadrës, Ksavi, që është trajneri ideal për fundin e karrierës së Leo Mesit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë