Drejtësia

Dyshohet se kopjoi sistemin TIMS, Ervin Muça mbetet në ‘arrest shtëpie’. Mohon akuzat: Jam i pafajshëm, kreva detyrën

Gazeta Si - Drejtori i pezulluar nga detyra i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e Shtetit, Ervin Muça ka mohuar akuzat ndaj tij për ndërhyrje në sistemin TIMS. Megjithatë, Gjykata e Tiranës vendosi ta lërë në fuqi masën e sigurisë "arrest shtëpie".

Në seancë avokati i tij kërkoi që hetimi të vijonte në gjendje të lirë, kërkesë që u rrëzua nga trupa e gjyqtarëve.

Teksa është paraqitur në ambientet e gjykatës, Muça e konsideron veten të pafajshëm, duke theksuar se bëhet fjalë për spekulime mediatike.

“E gjitha kjo është një spekulim mediatik, gjykata do ta vërtetojë këtë, deklarohem i pafajshëm. Kam bërë thjesht detyrën. Nuk ka lidhje kodi i punonjëses. Janë të gjitha të bëra sipas procedurës”, - u shpreh Muça.

Më 9 prill, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar “arrest shtëpie” dhe pezullimin nga detyra për Ervin Muçën.

Në një njoftim për mediat, prokuroria tha se Muça akuzohet se ka eksportuar bazën e të dhënave të sistemit TIMS në Policinë e Shtetit. Ndaj tij është ngritur akuza “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.

Muça akuzohet nga prokuroria se më 2 gusht të vitit të shkuar ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në bazën e të dhënave që ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit në orët e vona të natës, duke përdorur kodin PIN personal të një punonjësi tjetër jo prezent.

Pikërisht gjatë këtyre verifikimeve, Prokuroria e Tiranës thotë se zbuloi se Muça në 2007, “në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë”.

Po ashtu, ai rezulton se përveç detyrës si Drejtor IT, punonte edhe si këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në kundërshtim me ligjin për Policinë e Shtetit.

Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, rezulton se ka dyshime të arsyeshme, se në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar nga Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informacionit dhe shtetas të tjerë.

Kërkesa e prokurorisë u pranua nga Gjykata e Tiranës dhe vendimi i arrestit në shtëpi ndaj Muçës u ekzekutua nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Po gjatë orëve të mbrëmjes, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ai u pezullua menjëherë nga detyra.

Ndërhyrjet në TIMS shqetësuan dhe ambasadën e SHBA, ku i ngarkuari me punë McDowell gjatë një takimi në gusht me ministrin Balla kërkoi hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm të çështjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë