Drejtësia

Vjedhja e TIMS, Prokuroria e Tiranës lejoi SPAK të bëjë ekspertizën për të mos dekonspiruar hetimet

Gazeta Si - Sistemi TIMS nuk ka nevojë për “back-up” dhe as për kopjim të dhënash, pasi vetërregullohet pa ndërhyrje mekanike nga jashtë.

Kjo përgjigje e laboratorit të SPAK dërguar prokurores Anisa Qilimi, i ka vënë pikat mbi “I” për pozicionin dhe veprimet e dyshimta të Ervin Muçës, drejtor i Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, ndaj të cilit gjykata me kërkesë të prokurorisë shpalli masë sigurie “arrest shtëpi” dhe pezullim nga detyra.

Një burim i sigurt tha për Top Channel se Prokuroria e Tiranës kërkoi asistencën e SPAK, duke shmangur Policinë Shkencore në Tiranë, jo vetëm për shkak të laboratorit të sofistikuar që ka Prokuroria e Posaçme, por edhe për shmangur dyshimet për  dekonspirimin të hetimeve.

Një “hard disk” i sekuestruar, serverat dhe një kompjuter që i përket një nëpunëseje të identifikuar janë këqyrur, e së bashku me to edhe pamjet filmike që tregojnë çfarë ndodhi tetë muaj më parë.

Bëhet me dije se Muça u asistua nga një punonjës i AKSH, ndërkohë që përdori kredencialet e vartësit të tij për ndërhyrjen e paligjshme që solli kopjimin e sistemit TIMS.

I pyetur nga Prokuroria e Tiranës, i dyshuari këmbëngul se sapo kishte marrë detyrën dhe e kreu “back-up” për të garantuar sistemin, një version që hidhet poshtë shkencërisht nga këqyrjet dhe aktekspertizat dhe për këtë arsye ish-zyrtari u vendos nën hetim për ndërhyrje të paautorizuar në sistem.

Hetimet provojnë se ndërhyrja ndodhi mesnatën e dy gushtit 2023. Në 17 gusht, i ngarkuari me punë i SHBA-ve në Tiranë takoi ministrin e Brendshëm Taulant Balla, duke inkurajuar një hetim të shpejtë, pasi shprehu shqetësimin e amerikanëve.

Sistemi TIMS grumbullon dhe ruan të dhënat e shtetasve jo vetëm mbi hyrje-daljet në kufi, por edhe fotografitë e tyre dhe të dhënat personale si mëmësia, atësia, vitlindja, por dhe nëse ka pasur apo jo rekorde në të kaluarën

Menjëherë pas masës kufizuese për zyrtarin, Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes reaguan duke e pezulluar nga detyra, ndërkohë që aktualisht për rrjedhjen e të dhënave nga TIMS dhe administrimin e tyre, ka hapur siparin në fillim të prillit një komision hetimor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë