Rend dhe Ligj

Dyshohen për vrasjen e vajzës për çështje nderi, lihen në burg babë e bir

Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Faik dhe Shkëlzen Bucin, të akuzuar për vrasjen e familjares së tyre, Eglantina Buci në ngjarjen e ndodhur në 2012, që dyshohet për çështje nderi.

23-vjeçarja Eglantina Buci, vajza e Faikut dhe motra e Shkëlzen Bucit dyshohet se është ekzekutuar me plumb në kokë në Malin me Gropa nga vëllai dhe babai i saj për shkak se këta të fundit nuk “kishin miratuar” lidhjen e të resë me një djalë.

Megjithatë, babë e bir i mohuan akuzat. Përmes avokatit ata thanë se kontaktin e fundit me Eglantinën e kanë pasur që në vitin 2009 dhe këmbëngulën në versionin e dhënë nga Faiku para prokurorisë, ku tha se të bijën e dinte prostitutë në Turqi.

“I ati dhe vëllai tek vitet 2009-2010 janë takuar për herë të fundit. Janë interesuar, por ajo nuk banonte në shtëpinë e të atit. Ka qenë e fejuar gjatë kësaj periudhe. Është konstatuar ADN e vajzës, është marrë konfirmimi nga nëna e vërtetë e vajzës dhe ato eshtra mund të jenë të Eglantina Bucit. Ata nuk kanë jetuar normalisht, vajza nuk vinte në shtëpi dhe me kërkesat që babai ka bërë vetë ajo nuk vinte në shtëpi dhe prandaj mendohet se mund të jetë prostituuar", deklaroi avokati.

Avokati tha se nuk ka prova të reja, por dyshime të shfaqura në gjykimin e mëparshëm prandaj çështja është rikthyer.

Faik Buci u arrestua dy ditë më parë dhe në dëshminë e dhënë para policisë tha se vajza e tij ishte punonjëse seksi në Turqi dhe ishte rrëmbyer nga një grup i rrezikshëm me të cilët policia nuk duhej të merrej.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë