Financa Personale

Dyshime për shpërdorimin e fondeve të premtuara për të rinjtë fitues në konkursin e Protik

Nga Gazeta ‘SI’ - Në ditën e fundit të tetorit të vitit të shkuar, një konkurs 5 ditor nisi në kryeqytet, në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Rinor Europian 2022.

“Ideathon Tirana n’fest”, organizuar nga qendra Protik mblodhi grupe të rinjsh që prezantuan idetë e tyre inovatore përballë një jurie dhe 3 prej tyre u bënë fitues të çmimeve 250 mijë lekë, 100 mijë lekë dhe 50 mijë lekë... por askush nuk e di se ku janë paratë.

Njëri nga grupet fituese komunikoi me Gazetasi.al duke thënë se ata nuk e kishin marrë kurrë vlerën e fituar, ndonëse kanë kaluar rreth 7 muaj nga fitorja.

Ata kanë komunikuar herë pas herë me organizatorët, por sipas tyre gjithnjë është gjetur një justifikim sa të kalojnë paratë në llogari. Burimet i thanë gazetës se të rinjtë kanë pritur dhe kanë komunikuar shpeshherë me organizatorët, por gjithnjë iu është thënë” shumë shpejt”, por ata ishin të bindur që shpërblimi për fituesit nuk do të jepej.

Gazetasi.al komunikoi me qendrën Protik, e cila a informoi se fituesit nuk e kanë marrë ende shpërblimin e tyre për shkak se Kongresi Rinor Kombëtar, organizata që financon këtë konkurs, nuk ka disbursuar fondet.

“Kongresi Rinor Kombëtar nuk ka bërë ende disbursimin e transhit të dytë, përfundimtarë. Pjesëmarrësit janë njoftuar, dhe janë mbajtur në kontakt për situatën e krijuar”, sqaron përfaqësuesja e Protik për Gazetasi.al. Kjo përgjigje erdhi gati një muaj më vonë pas dërgimit të kërkesës zyrtare për informacion. Gjithë këtë vonesë Protik e ka justifikuar me "problemet e shpeshta me e-mail-in" E çuditshme kjo për një qendër që mbështet dhe promovon idetë inovative në teknologji.

Kongresi Rinor Kombëtar, KRK, është një organizatë rinore “ombrellë”, si një bashkim i bashkim i organizatave rinore, grupeve joformale, forumeve rinore të partive politike. KRK u krijua nga organizatat Friedrich Ebert Stiftung dhe Olof Palme International, të cilat vazhdon të bashkëpunojë. Partner i saj është edhe Bashkia Tiranë.

Më tej ne kontaktuam me KRK-në duke i kërkuar më shumë informacion për mosdhënien e  shpërblimit të premtuar dhe fituar siç pretendon edhe Protik, si edhe për kohën që i duhet kësaj organizate t’i disbursojë atë.

E vetmja përgjigje që erdhi ishte se dosja po shqyrtohet, është në proces disbursimi dhe se “eksperti ligjor është duke rishikuar dosjen finale përpara se të realizohet edhe disbursimi i fondit.” 

Gazetasi.al ka pyetur për detaje të mëtejshme lidhur me rolin e ekspertit ligjor dhe ka rikërkuar të dijë më shumë për afatet që janë parashikuar fillimisht për disbursim. Deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli ne nuk kemi marrë një përgjigje të dytë nga KRK.

Të rinjtë ende presin të marrin shpërblimin e premtuar. Përgjigjet evazive të dhëna nga organizatorët dhe zotëruesit e fondeve nuk e sqarojnë çështjen e përkundrazi i thellojnë dyshimet se, ashtu siç hamendësojnë të rinjtë e pashpërblyer dhe të zhgënjyer ato mund të jenë shpërdoruar pa shkuar në destinacionin final.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë