Drejtësia

Dyshime për pastrim parash dhe shpërdorim detyre, nisin hetimet për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla

Gazeta Si - Kryebashkiaku socialist i Rrogozhinës Edison Memolla po hetohet edhe për akuzën e pastrimit të parave dhe të shpërdorimit të detyrës në dy raste të ndryshme.

Përveç korrupsionit zgjedhor, ku çështja ndaj tij vijon të jetë në gjykim nga SPAK, ndaj Memollës ka nisur një hetim edhe për shpërdorim detyre muaj më parë me dyshimet se ka abuzuar me fondet e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Po ashtu, një tjetër dosje penale që bën fjalë për “Pastrim të produkteve të veprës penale”, është regjistruar në Prokurorinë e Posaçme.

Sipas "Report tv", SPAK-ut i është vënë në dispozicion i gjithë materiali nga homologët italianë. Autoritetet italiane në bashkëpunim me ato shqiptare, janë vënë në ndjekje të një transferte të dyshimtë prej 1 milion eurosh, e cila dyshohet se i përket pikërisht lidhjeve të afërta të kryebashkiakut Memolla.

Prokuroria e Posaçme ka nisur një letër-porosi autoriteteve partnere, ku kërkohet informacion.

SPAK po kryen verifikimet përkatëse mbi gjetjet e tyre, teksa është ngritur një grup i përbashkët pune për këtë çështje.

Procesi ndaj kryebashkiakut në GJKKO për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022 është duke vijuar, ndërsa Memolla është ende në detyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë