Propozim i SI

Dy vjet “pandemi” politike

Kur dy vjet me parë, në fillim të muajit mars, Shqipëria konfirmoi dy rastet e para zyrtare me Covid, një baba dhe djali i tij që kishin udhëtuar me makinë nga Firence e Italisë drejt Shqipërisë, vendimi i parë i qeverisë shqiptare ishte anulimi i të gjitha fluturimeve dhe tragetet që vinin nga zona veriore e Italisë, një kërkesë kjo në fakt e vonuar që i ishte imponuar qeverisë më herët.

Vetëm pak ditë më pas u shënua zyrtarisht edhe viktima e parë, ndërsa qeveria urdhëroi karantinë ndaj çdo udhëtari apo personi që kishte pasur kontakte më të ardhur jashtë vendit, kryesisht nga Italia. 

Brenda pak ditësh qeveria njoftoi mbylljen e qyteteve të mëdha, përfshirë edhe Tiranën.

Afati ishte deri në mesnate ndërsa u bllokuan rrugët, u ndaluan  makinat private përveç atyre për arsye pune (që paraprakisht duhet të merrnin leje) dhe mbyllja e të gjithë bizneseve (me përjashtim të farmacive dhe dyqaneve ushqimore). U ndaluan gjithashtu me vendime qeverie për një kohë të gjatë tubimet publike dhe ndeshjet e futbollit. Gjatë kësaj kohe pati edhe video sensibilizuese me një “personazh” politik kryesor kryeministrin Edi Rama i cili gjatë periudhës së karantinës por edhe mbarimit të saj pa droje mund të cilësohej si “one man show”.

Të gjithë e mbajnë mend videon virale të tij ku mësonte njerëzit se si të lanin duart në kohe pandemie dhe nuk munguan mesazhet telefonike dërguar po nga ai, gjithë abonentëve që të lanin duart, të shmangnin përqafimet dhe lajmet e rreme dhe të mos lëviznin me makine sepse në të kundërt do të kishte gjoba.  

Kryeministri Rama duke demonstruar në një video se si lahen duart

Përdorimi i makinave private dhe automjeteve të transportit ndërkombëtar u ndalua në Tiranë dhe Durrës, dhe të gjitha transportet private dhe publike u ndaluan në Shkodër, Lezhë, Elbasani, Lushnjë, Fieri dhe Vlorë, me të vetmet automjete që lejoheshin të ishin ambulancat dhe ato për shpërndarjen e sendeve të domosdoshme.

Gjatë kësaj kohe po me vendime qeverie u lëshuan bonuse prej 1000 eurosh stafit mjekësor atyre në vijën e parë dhe një pagë prej 500 eurosh iu shtua pagës së infermierëve të urgjencave. Baret, restorantet, palestrat, diskotekat dhe vendet me muzikë live u urdhëruan të mbyllen.

Nuk munguan as vendime të tipit shpallje e shtet-rrethimit për tre ditë kryesisht në fundjavë, u lejuan të dilnin vetëm pensionistet me orare të kufizuara, bankat po ashtu punonin me orare të tilla ndërsa ATM mbeten te hapura ashtu si edhe shërbimi delivery.

Administrata punoi nga shtëpia, ndërsa vendimet kreu i ekzekutivit i përcillte përmes videosh të shkurtra.

Kreu i PD, Lulzim Basha,

Thuajse një vit më parë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, që kish mbajtur një profil të ulet gjatë asaj kohe, propozoi një pakete masash prej pesë pikash se si të dilej nga kriza duke filluar nga pezullimi dhe fshirja e faturave të ujit. përjashtimi nga tatim fitimi për të gjitha subjektet ku ishte shfaqur virusi, përjashtim nga kamatëvonesat dhe gjobat për 3 muaj dhe mbështetje për sektorin e turizmit, fason apo call center deri edhe para cash në ndihme të pensionistëve.

Fatura sipas Bashës ishte e përballueshme, ndërsa ishte e kundërta sipas Ramës.

Për të kaluar tek debati i tretë ai i numrit të vdekjeve gjatë pandemisë, një debat që vijon edhe sot dhe jo vetëm në Shqipëri.

Basha do të shprehej se numri i të sëmurëve dhe fataliteteve, krahasuar me ato që raportohej çdo dite ishte disa herë më i lartë.

Por Rama e kundërshtoi edhe pse nuk dërgoi asnjë padi në prokurori për shpifje siç e serviri në disa dalje medias ndërsa nxori në rresht mjeket e infektivit për të kundërshtuar tezën e Lulzim Bashës.

Gjatë kësaj periudhe pati ndërhyrje dhe thirrje edhe nga Presidenti Ilir Meta i cili disa herë zhvilloi takime për çështjen në fjalë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ndërsa kërkoi më tepër përgjegjësi nga Komiteti Teknik që të analizonte kryesisht të dhënat që vinin nga raportet ndërkombëtare mbi vdekshmërinë nga COVID-19.

“Beteja” e fundit e qeverisë me COVID ishte vaksinimi, fillimisht me 1 milion vaksina kineze ne mars te vitit te kaluar me pas me sigurimin e vaksinave Pfizer.  

Qeveria ndërkohë miratoi dy paketa financiare për të mbështetur biznesin dhe qytetarët, për përballimin e situatës nga koronavirusi ku përfituan 30 mijë persona (pa përfshirë kategoritë që përfitonin nga skemat sociale për shkak të papunësisë së mëparshme apo ndihmës ekonomike). Qeveria pretendoi se 175 mijë persona të tjerë përfituan nga paketa e dytë ekonomike. Ndërkohë, për biznesin u premtuan   kredi të buta si dhe kredi me interesa zero.

Opozita në anën tjetër e cilësoi të pamjaftueshme dhe të vogël ndihmën financiare duke bërë krahasime me paketat që kishin akorduar vendet fqinje.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë