Njerez

Të rinjtë që u bënë zëri i Shqipërisë në takimin global për ndryshimet klimatike

Konferenca Globale “Të rinjtë për Klimën” synonte t’u mundësonte të rinjve nga e gjithë bota që të ndajnë shqetësimet dhe opinionet e tyre në lidhje me ndryshimet Klimatike me përfaqësuesit e institucioneve italiane (ku u mbajt konferenca) dhe ndërkombëtare.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe dy të rinj nga Shqipëria, Izelda dhe Leonardo, anëtarë të grupit të fëmijëve\rinjve që mbështeten nga Organizata “Save the Children Albania të cilët tregojnë për Gazetasi.al se si është të jesh zëri i Shqipërisë për ndryshimet klimatike, sa të përfshirë janë të rinjtë shqiptarë në këtë problematikë dhe sa kanë ndikuar ato deri tani në shoqërinë tonë.

Izelda Bakiasi, 18 vjeç, maturante, nga Durrësi thotë se pjesëmarrja në këtë konferencë ka qenë një përgjegjësi shumë e madhe pasi “duhet vendsosshmëri për të sjellë ndryshimin”.

“Ne jemi brezi i parë që jemi dëshmitarë të ngrohjes globale dhe i fundit që mund të bëjë diçka për ta ndryshuar këtë. Është një kënaqësi e madhe për mua të tejçoj informacionin tek të tjerët që kanë vullnet dhe interes të dëgjojnë dhe të veprojnë”, thotë Izelda e cila shton se në konferencë shprehu disa nga shqetësimet më të mëdha që prekin Shqipërinë sic janë: Mosmenaxhimi i mbetjeve, dëmtimi i sistemit të lumenjve nga HEC-et, ndotja nga aktivitetet industrial dhe ndotja e ajrit. Gjithashtu stinët po humbasin tiparet klimatike dhe temperaturat po arrijnë kulmin, ka rritje të nivelit të detit dhe përmbytje masive, probleme që janë shumë të pranishme në Shqipëri dhe dy të rinjtë u “siguruan” që të dihen nga të gjitha vendet e botës.

Izelda tregon për Gazetasi.al se në të ardhmen ka shumë dëshirë të ndërmarr nisma bashkë me të rinjtë mbi sensibilizimin e kësaj çështjeje, mbështetur dhe nga prindërit të cilëve “u pëlqen shumë fakti që unë angazhohem me çështje të tilla, të cilat sjellin impakt pozitiv në botë. Kontributi im sado i vogël mund të ndikojë në vendimmarrje për një mjedis më të pastër”.


Izelda Bakiasi dhe Leonardo Bezhi gjatë Konferencës Globale “Të rinjt për Klimën”, Gazeta Si, 24 tetor, 2021

Ndërsa Leonardo Bezhi, 18 vjec, anëtar i Grupit të Fëmijëve/Rinjve, që mbështeten nga Save the Children në Shqipëri theksoi para 400 të rinjve aktivistë nga e gjithë bota, rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve/rinjve në të gjitha nivelet e vendimarrjes. Ai gjithashtu ndau eksperiencën e tij në prezantimin e raportit të fëmijëve në Asamblenë e Përgjithshme të Rishikimit Universal Periodik (UPR), në Gjenevë, dhe takimet me diplomatë nga vendet e zhvilluara Evropiane.

“Fëmijëve dhe të rinjve duhet t’iu krijohen mundësitë dhe atëherë ata do të sjellin ndryshimin” tha Bezhi.

Bezhi tregon se për të, është përgjegjësi të jesh pjesë e diskutimeve të të rinjve nga e gjithë bota.

“Nder për faktin se jam pjesë e një niveli diskutimesh ndërkombëtare me të rinj nga e gjithë bota dhe përgjegjësi për faktin se diskutojmë për një temë shumë të rëndësishme dhe aktuale si ndryshimet klimaterike ku pjesëmarrja aktive e jona ka peshë të madhe”.

Ai thotë se duke qenë se Shqipëria, ashtu si të gjithë vendet e tjera në botë, gjendet e rrezikuar nga pasojat e ndryshimeve klimaterike dhe është shumë e rëndësishme që të dëgjohet zëri i përfaqësuesve të vendit tonë.

-Si është të jesh një i ri në Shqipëri që ke njohuri për ndryshimet klimatike dhe i ndan ato njohuri me të rinj të tjerë në botë?

“Në vendin tonë ka shumë të rinj si unë po aq të angazhuar ndaj këtij problem global. Megjithatë mund të thuhet se kam pasur fatin e mirë të kem përqasje me të rinj të tjerë të botës dhe kjo normalisht shërben si një eksperiencë “që të hap sytë” duke parë problematikat e tyre, në disa raste katastrofike,të shkaktuara nga ndryshimet në klimë dhe për mënyrën si po përballen me to”, thotë Bezhi.

Në të ardhmen, Bezhi dëshiron që të vazhdojë me sensibilizimin e qytetarëve dhe qeverive për t’u angazhuar ndaj këtij problem.

Ai thotë se mënyra më e mirë për t’i sensibilizuar të rinjt do të ishte duke i bërë të kuptojnë mbi rrezikun që po e vendosin të ardhmen e tyre duke mos vepruar.

Bezhi e ka arritur tashme një sukses tijin personal. Falë përfshirjes dhe ndërgjegjësimit të tij, ka arritur të sensibilizojë familjarët, të afërmit dhe shoqërinë mbi problematikën dhe “tani janë gjithmonë koshientë për të qenë sa më “eco-friendly””.

Të gjitha shqetësimet e dy të rinjve shqiptarë u paraqitën para pjesëmarrëve të ndryshëm ndërkombëtar të cilët kanë peshë në ndërmarrjen e veprimeve konkrete ndaj ndryshimeve klimaterike. Të rinjtë shqiptarë, me qetësinë dhe informacionet e duhura, janë ndoshta të vetmit që arrijnë të kuptojnë se edhe Shqipëria është në një rrezik të madh për shkak të ndryshimeve klimatike dhe kanë filluar të ngrenë zërin për këtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë