Ka ndodhur

Dy të arrestuar pas aksidentit tragjik me 8 viktima në Këlcyrë. Emigrantët ishin nga Pakistani

Gazeta Si - Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër u shpall në kërkim një ditë pas aksidentit tragjik me 8 viktima që ndodhi të martën në Këlcyrë, ku humbën jetën shoferi i makinës tip “Benz” dhe shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilët dyshohet se ishin nga Pakistani.

Tre bashkëpunëtorët, banues në Shkodër, synonin t’i transportonin ata kundrejt pagesës për të kaluar nga kufiri grek drejt Shkodrës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Sipas policisë, mësohet se A.Gj., 24 vjeç dhe R.D., 23 vjeç janë arrestuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Ndërsa S.N., 23 vjeç, u shpall në kërkim dhe dyshohet se kishte rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale.

Arrestimi i tyre është bërë në Shkodër për llogari të policisë së Gjirokastrës. Sipas burimeve, këta persona kanë bashkëpunuar me shoferin Edison Bregaj, 24 vjeç, i cili gjendej në timonin e makinës së shkatërruar, ku humbi dhe jetën.

Sipas policisë, rezulton se emigrantët e paligjshëm ishin nga Pakistani. Një pjesë e tyre janë identifikuar nga letërnjoftimet që u janë gjetur.

Të tjerët pritet t’u merren gjurmët e gishtërinjve apo analizat e ADN-së. Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të së martës. Bregaj tentoi të largohej me shpejtësi pasi pa një patrullë policie.

Por në afërsi të fshatit Kuqar, për shkak të shpejtësisë së madhe, ai “fluturoi” rreth 500 metra dhe ra në anë të lumit Vjosa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë