Ngjarje

Aksidenti në Këlcyrë, drejtori i Policisë Gjirokastër tregon dinamikën: Mjeti ishte me shpejtësi, patrulla i bëri shenjë, por nuk ndaloi

Gazeta Si - Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa ka dhënë detaje për aksidentin e ndodhur në Këlcyrë, ku humbën jetën 8 persona, një shtetas shqiptar nga Shkodra (shoferi) dhe 7 refugjatë nga vendet e treta.

Në një deklaratë për mediat, Çipa shpjegoi se mjeti me emigrantë ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave dhe patrulla e policisë i ka bërë shenjë që të ndalojë.

Por drejtuesi në këtë moment është kthyer për në drejtim të Përmetit duke u larguar me shpejtësi, për t’iu shmangur patrullës.

“Policia ka hasur një mjet që po vinte me shpejtësi tej normave të lejuara. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer dhe është nisur me drejtim nga qyteti i Përmetit, - deklaron Çipa. - Patrulla e policisë me automjetin e vet e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka informuar sallën operative për mjetin që ishte larguar në drejtim të Përmetit me shpejtësi”.

Rreth orës 03:55 të mëngjesit, duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla ka lëvizur drejt Përmetit duke marrë edhe kontakte me qytetarët që i ka pyetur nëse kanë parë një mjet të tillë.

“Kanë nisur inspektimin e zonës dhe ka parë shenja të aksidentit rrugor, me automjetin që ka rënë në anë të lumit Vjosa”, - vijon ai.

Ai shtoi se drejtuesi i automjetit dyshohet se është nga Shkodra. ““Paraprakisht, dyshohet se drejtuesi i automjet dyshohet se është nga qyteti i Shkodrës, kurse personat e tjerë dyshohet se janë emigrantë të paligjshëm. Nuk mund të japim një konkluzion sa i takon shpejtësisë së automjetit. Jemi ende duke kryer veprimet në vendngjarje. Numri i viktimave është i lartë dhe po merren shumë prova për të sqaruar në mënyrë të plotë”, shtoi kreu i Policisë së qarkut Gjirokastër.

 Ndërkohë edhe prokurori Petrit Çano thotë se do të bashkëpunojnë me të gjitha ambasadat me qëllim zbulimin e emrave të viktimave të tjerë. Sa i përket makinës ajo rezulton se është marrë me qira në Shkodër dhe nuk është pronar drejtuesi.

“Siç informoi Drejtori i Policisë kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë aksidentale, shkaqet ai i përmendi cilat ishin, mënyrën si ka ndodhur. Ne jemi informuar nga Drejtoria e Policisë dhe të gjitha strukturat e tjera. Sëbashku me prokuroren e përgjithshme kemi ardhur në vendngjarje. Kemi organizuar punën që të bëhet me kujdes këqyrja e kufomave, identifikimi i tyre, pastaj në bashkëpunim me strukturat e tjera, do kryejmë të gjitha procedurat hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë nëse ka të tilla. Mjeti është rikthyer përsëri në drejtim të qytetit të Përmetit, me shumë shpejtësi, ende se përcaktojmë dot sa ka qenë sepse do dalë në vazhdimësi. Si duket ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfunduar në këtë pjesë që ju e shikoni. Ky është objekti i hetimit. Rezulton se vetëm drejtuesi i automjetit është shtetas shqiptar, automjeti është marrë me qira në një nga pikat në Shkodër, nuk është pronar drejtuesi. Viktimat e tjera janë shtetas të huaj nga vendet e treta, që donin të kalonin në vendet e tjera të BE-së. Se dimë akoma se cilave shtete u përkasin. Jemi duke pritur edhe mjekët ligjorë nga Tiranë për të bërë autopsinë. Do bashkëpunojmë me të gjitha ambasadat përkatëse pasi t’i identifikojmë. Nuk është thjesht aksident, vjen si rrjedhojë e një ngjarjeje kriminale. Në këtë zonë merren me këtë aktivitet të paligjshëm, gjithsesi është kombinim i dy veprave penale”, deklaroi për mediat, Prokurori i Rrethit Petrit Çano.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë