Ka ndodhur

Aksident tragjik me 8 viktima në Këlcyrë, makina me klandestinë bie në lumin Vjosa. Dyshohet se shoferi tentoi t’i ikë policisë (Foto)

Gazeta Si - Një aksident tragjik me 8 viktima ka ndodhur aksin rrugor Këlcyrë-Përmet në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 04:00, 2 prill, kur një mjet me emigrantë të paligjshëm është aksidentuar dhe për pasojë kanë humbur jetën 7 klandestinë nga vendet e treta, si edhe drejtuesi i mjetit nga Shkodra me iniciale S.I.

Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë, por burime bëjnë me dije se mjeti me emigrantë të paligjshëm është pikasur nga patrulla policore, duke shtuar shpejtësinë për t'i ikur policisë.

Drejtuesi ka humbur kontrollin dhe mjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosa në fshatin Kuqar, duke u marrë jetën të 8 personave që gjendeshin brenda.

Siç shihet në foto, makina e cila doli nga rruga në aksin Këlcyrë-Përmet dhe ra në anë të lumit Vjosë, është shkatërruar totalisht si pasojë e aksidentit. Makina ku udhëtonin, ishte marrë me qira dhe nuk ishte në pronësi të shoferit që humbi jetën.

Dyshohet se shoferi ishte pikasur nga policia në afërsi të Këlcyrës dhe është kthyer pas. Në momentin e daljes nga rruga pranë kthesës së Kuqarit, mendohet të ketë qenë me shpejtësi rreth 200 km në orë.

Mjeti ka fluturuar në linjë ajrore rreth 200 m dhe më pas është përmbysur në një shpat të pjerrët buzë Vjosës.

Shpejtësia e mjetit ka vijuar të jetë e lartë duke e shtyrë atë edhe gati 100 m të tjerë. Pasagjerët të gjithë shtetas të huaj kanë dalë nga automjeti në momente të ndryshme dhe besohet se kanë humbur jetën në vend.

Zona është e gjitha e rrethuar për të bërë të mundur që ekspertët të zbardhin këtë ngjarje, të paktën të zbulojnë dinamikën se si ka përfunduar makina dhe çfarë shpejtësie mund të ketë pasur.

Ndërkohë rreth e rrotull zonës ku ndodhi aksidenti janë të shpërndarë trupat e pajetë.

"Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë. Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra) Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit. Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik. Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë", - njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë