Politike

Dy raporte për Metën. Zeneli: Ne nuk e shkarkojmë Presidentin, po e hetojmë

Deputeti Alban Zeneli, pjesë e grupit parlamentar Demokrat dhe nënkryetar i Komisionit Hetimor të ngritur nga mazhoranca për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, në një prononcim për Gazetën "Si" nuk përjashton mundësinë se në fund të punës së këtij Komisioni, të mos ketë një qëndrim të unifikuar mazhorancë-opozitë.

“55 deputetët e Partisë Socialiste dorëzuan rezolutën që thotë se Presidenti ka shkelur Kushtetutën. Ne votuam pro që Presidenti të hetohet nëse e ka shkelur Kushtetutën apo jo, jo për shkarkimin. Duhet të jemi të kujdesshëm në këtë, sepse në çdo rast presupozohet parimi i pafajësisë”, deklaron Zeneli.

A do të thotë kjo se në fund, Komisioni Hetimor Parlamentar do të dalë me dy raporte, një nga ana e mazhorancës dhe një tjetër nga opozita parlamentare? Zeneli s’e përjashton.

“Kjo nuk ka rëndësi. Më shumë rëndësi sesa produkti përfundimtar i Komisionit, ka procesi dhe që hapat të merren një nga një. Në fund është Parlamenti në seancë plenare ai që do të votojë raportet që do të dalin nga ky Komision Hetimor”, sqaron deputeti Zeneli.

Çfarë po e nxit mundësinë që opozita parlamentare të dalë me një qëndrim ndryshe nga ai i mazhorancës në fund?. Zeneli vëren se në disa aspekte, puna e Komisionit Hetimor ka ceduar. Ai konfirmon se një prej tyre është që anëtarët e Komisionit Hetimor të japin mendime politike në publik. Zeneli thotë se çdo deputet e ka dhënë mendimin në momentin që u ngrit ky komision dhe do të ketë mundësinë që të japë sërish mendimin dhe vendimin politik në përfundim të hetimit. Por, ai kujton se në fund është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë përfundimisht.

Zeneli konfirmon për Gazetën “Si” se raporti paraprak i Komisionit të Venecias ka mbërritur në Komisionin Hetimor Parlamentar, por nuk është shqyrtuar në detaje, pasi kjo do të realizohet në mbledhjen e radhës, që është parashikuar të mbahet pasi Venecia të ketë miratuar këtë raport.

Raporti paraprak i Venecias thotë se Presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën me anulimin e 30 qershorit si datë zgjedhjesh, por sugjeron se shkelja nuk mund të interpretohet në atë gradë sa të justifikojë shkarkimin e tij. Mbi përmbajtjen e raportit, deputeti i grupit parlamentar “Demokrat” thotë se është njohur dhe se qëndrimi i tij personal dhe i grupit që përfaqëson do të mbështetet plotësisht në frymën dhe këshillat e këtij raporti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë