Motosport

Dy pozitivë me Covid-19 para garës në Hungari, s’janë pjesëtarë skuadrash

FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit), ka bërë me dije se dy persona kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 para garës në Hungari. Që të dy këta persona, të cilët nuk janë pjesëtarë të skuadrave dhe nuk kanë qenë në garën e Austrisë, janë izoluar tashmë.

Lajmi ka shkaktuar alarm menjëherë, pasi nesër zhvillohet “Çmimi i madh” i Hungarisë, por të gjithë janë qetësuar, kur është mësuar se nuk bëhet fjalë pjesëtarë të stafeve të skuderive. Gjithçka sa i takon zonës së sigurisë, pra gjithë personelit që ka akses në pistë, është nën kontroll.

Nga FIA është bërë me dije gjithashtu se nga data 10 korrik e deri më 16 korrik u janë bërë 4997 teste për Covid-19 pilotëve dhe gjithë pjesëtarëve të skuadrave të tyre. Nga këta, vetëm dy persona kanë rezultuar pozitivë. Ata nuk kanë qenë të pranishëm në garën e fundit në Austri, kështu që është e lehtë të kuptohet se bëhet fjalë njerëz vendës të angazhuar për organizimin e garës. Ka përfunduar gjithashtu edhe gjurmimi i kontakteve të tyre më të ngushta dhe nuk ka asnjë rrezik për zhvillimin e garës në Hungaroring.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë