Muzike

Dy net dashurie për Agim Krajkën

Për dashurinë thotë se ka kompozuar më shumë se pesëdhjetë këngë, të cilat në 81 vjetorin e tij të lindjes i kthehen për t’i dhënë të gjithë dashurinë kompozitorit që i dha formë, për dekada, muzikës së lehtë shqiptare. “Të gjithë e duan Agim Krajkën” , është pagëzuar galaja, që për dy mbrëmje do të ngjisë në skenën e “ArTurbinës” orkestrën e TKOB-it, trupa e Ansamblit Popullor, bandën Jazz dhe këngëtarë të njohur që do të sjellin këngët që kanë shënjuar epoka dhe janë rrënjosur në kujtesën e publikut. Irma Libohova, e cila së bashku me të motrën, Erandën, kanë fituar çmim të parë në festival me kompozimin e Krajkës, kthehet në këtë koncert homazh, për të interpretuar live këngën “Kur këndoje ti”. Kënga shumë të dashur të gjyshes, të cilën edhe ai vetë e kujton edhe sot me po atë dashuri me të cilën e shkroi dikur, do të vijë përmes vokalit të Juliana Pashës, që bashkë me të do të interpretojë edhe “Dëgjoma këngën”.

Irma Libohova


“Djaloshi dhe shiu” të kënduar nga Vaçe Zela, vjen së bashku me “Sonet për veten” nga Eneda Tarifa. Mexosopranoja Vikena Kamenica sjell me të gjithë fuqinë e saj magjinë e së famshmes “Lemza”. Një tjetër hit i Krajkës, i interpretuar nga Lindita Theodori, “Kafe Flora burra plot”, do të vijë sipas versionit të këngëtares Kamela Islamaj. Këngë që kanë sfiduar kohët, regjimet dhe harresën. Janë gjithsej 140 artistë që do të rivizitojnë karrierën, që e ka kapërcyer gjysmëshekull të kompozitorit që shkroi jo vetëm për festivalet e muzikës së lehtë, por edhe për ansamblin popullor, që ka mbushur 60 vite nga themelimi.

Juliana Pasha

Ka fituar gjatë karrierës së tij afro njëzet çmime festivalesh dhe ka shkruar muzikën e shtatë filmave artistikë si Njësiti Guerril”, “Çifti i Lumtur”, “Zonja nga Qyteti”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “Një shoqe nga fshati”, “Lundrimi i parë”, “Zëvendësi i grave”. Edhe këto motive kolonash zanore, do të vijnë në këto koncerte. Liljana Cingu, valltarja ikonë e Ansamblit të Valleve dhe Këngëve Popullore, do të ngjitet në skenë me vallen e Librazhdit, të njohur si vallja e Rexhës, motiv i lëvruar prej maestros, nderuar edhe me çmim të parë, bashkë edhe me vallen e Tiranës dhe vallen çame. Në këtë gala, presidenti Ilir Meta do të dekorojë kompozitorin me titullin “Nderi i Kombit”.

Eneda Tarifa


Mbrëmjet koncertore do të jenë nën shoqërinë e Orkestrës së TKOB dhe dirigjentit Edmond Doko. Kompozitori Agim Krajka qe dikur dirigjent i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për tridhjetë vjet, ndërsa solli frymën e tij me orkestrimet për formacionin e orkestrës.


Agim Krajka iu bashkua Ansamblit Shtetëror 54 vjet të shkuar si fizarmonicist – instrument që nisi ta eksplorojë që herët - e më pas u bë dirigjenti që ndërtoi modele orkestrimesh e përpunimesh të këngëve dhe valleve nga gjithë krahinat.

Kamela Islamaj

Në vitin 1963, nisi studimet për teori e kompozicion, nën drejtimin “Artistit të Popullit” – Çesk Zadeja. Mjeshtri ka kompozuar qindra këngë, valle popullore dhe shumë pjesë për orkestër simfonike si: “Suite me valle popullore” për orkestër simfonike, “Uverturë rinore” për orkestër simfonike, “Romancë” për violinë e orkestër simfonike, “Fantazi” për fizarmonikë e orkestër simfonike.

Liljana Cingu


Agim Krajka i kushtoi vëmendje të veçantë folklorit muzikor dhe eksplorimit në çdo cep të Shqipërisë, duke marrë edhe frymëzimet më të bukura për veprat muzikore, të cilat bënin tendencën e muzikës së kohës. I fundit që shkëputej nga folklori dhe i pari që ndiqte tendencat e muzikës së kohës, prandaj të gjithë e kërkonin dhe donin të bashkëkrijonin e ndanin skenën me të.

Agim Krajka me fizarmonikën e tij të dashur

Publiku e donte  kur luante në fizarmonike dhe mezi priste të dëgjonte këngët e tij në festivalin e fundvitit. Miqtë dëshironin ta kishin afër në tryezë për tu gëzuar me alegrinë që shpërndante përreth. Të gjithë e donin atëherë dhe tregojnë se e duan edhe sot Agim Krajkën, kompozitorit që i shkroi dashurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë