Politike

Dy ligje për pronat, Tabaku: Rama ua merr qytetarëve për t’ua dhënë oligarkëve

Partia Demokratike përshëndeti vendimin e Presidentit Ilir Meta që ktheu për shqyrtim në Kuvend ligjin për Korporatën e Investimeve dhe paralajmëron se në sirtarët e mazhorancës po gatuhet një tjetër ligj që godet pronën.

“Korporata e Investimeve Shqiptare është akti parafundit dhe pas tij do të vijë ligji i shpronësimeve që do të zhvlerësojë pronën private”, deklaron ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Projektligji për shpronësimet është hartuar nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, ku mes ndryshimeve që propozohen për dallim nga ligji që është aktualisht në fuqi është ai i centralizimit të procedurave të shpronësimit në një agjenci shtetërore.

Kjo do të thotë se procedurat dhe kërkesat për shpronësim do të përqëndrohen vetëm tek organi i ri që parashikohet të ngrihet, siç është Agjencia Shtetërore e Shpronësimeve. Por, pikërisht ky përqëndrim i kompetencave, sipas PD, do t’i mundësojë qeverisë që nën termin “shpronësim për interes publik” të shpronësojë me vlera qesharake subjekte private.

Vetë deputetja Jorida Tabaku nënkupton një lidhje të ngushtë mes ligjit për Korporatën e Investimeve dhe atij për shpronësimet. Sipas saj, të dy janë akte antikushtetuese dhe që godasin pronën dhe qytetarët. Tabaku përsëriti qëndrimin e opozitës.

“Së pari, kanalizon çdo pronë publike dhe private në duart e kryeministrit (Arkitektit real të këtij projektligji). Së dyti, me pushtetin ndaj çdo prone publike dhe/ose private në vend, Kryeministri do të shpërndajë pronat tek oligarkët. Në këtë mënyrë do marrë tagrin që në vazhdim të koncesionojë edhe shpatet e maleve”, thotë ish-deputetja demokrate.

Tabaku vlerëson aktin e Presidentit si të dobishëm, por të pamjaftueshëm në një kohë që vendi është pa Gjykatë Kushtetuese.

“Akti i presidentit ndonëse i dobishëm është shpresë pak pasi mazhoranca e drejtuar nga PROSSH (Partia e Rilindur e Oligarkëve Socialistë të Shqipërisë) duke përfituar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese do ta rrezoje perseri kete ligj siç ka bërë me shumë të tjerë të kthyer nga Presidenti. Koha për sugjerime, amendime e këshilla ka kaluar. Kur çdo ligj që votohet është në dëm të interesit publik, kur nuk miratohet një ligj i vetëm që t’i japë prioritet të pamundurit, pronarit, studentit e fermerit. Përherë ligjet e kësaj mazhorance janë anti-treg dhe në favor të një grupi të vogël atëherë kjo nuk quhet më qeveri e njerezve dhe për njerezit!”, thotë ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë