Politike

Dy koncesionet e reja, PD: Rama i dha trafikantit të drogës e oligarkëve

Partia Demokratike reagoi sot ndaj vendimit të qeverisë për dhënien e dy koncesioneve të reja për Kepin e Rodonit dhe Portin e Sarandës. Sekretari për Çështjet Ekonomike, Dorian Teliti, në një deklaratë për mediat nga selia blu tha se kapja e shtetit nga krimi dhe oligarkët është arsyeja kryesore që Shqipëria është jashtë BE-së.
“Kepin e Rodonit ia ka dhënë për 35 vjet, Roland Ziut, i njohur nga mediat si trafikant ndërkombëtar droge. Prej vitesh ky trafikant është lidhur ngushtë me pushtetin e Edi Ramës. Para pak kohe, Erion Veliaj i dha atij koncesionin e terminalit jugor të transportit. Në këtë koncesion trafikanti i drogës i shndërruar në biznesmen pranë qeverisë, është bashkë me kompaninë R&T, e Renis Tërshanës. Kapja e shtetit nga krimi dhe oligarkët është arsyeja kryesore që Shqipëria është jashtë Bashkimit Europian”, deklaroi Telit.
Më tej ai theksoi se “Koncesioni i Portit të Sarandës i është dhënë për 30 vjet dyshes Kastrati-Dulaku. Kastrati është oligarku më i ngushtë i Edi Ramës, që ka marrë koncesion 400 milionë euro të Rrugës së Kombit, furnizon ekskluzivisht prej 6 vjetësh me karburant qeverinë dhe ka përfituar leje ndërtimi në zonat e gjëlbërta të Tiranës. Porti i Sarandës i ishte dhënë më qira për 20 vjet kompanisë së biznesmenit Artan Dulaku dhe nuk dihet sesi qiraja u kthye në koncesionin Dulaku-Kastrati”.
Sipas PD-së, për këtë koncesion nuk pati garë reale duke eliminuar konkurrencën dhe shndërruar vendimet e kryeministrit Edi Rama dhe Ministres Belinda Balluku në vendime klienteliste. Partia Demorkatike zotohet se do tu kthejë njerëzve qeverisjen nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë