Politike

Dy javë pas tërmetit, opozita ndryshon strategji, nis sulmet ndaj Ramës

“Ne po bëjmë gjithçka që t’i gjendemi pranë çdo shqiptari në këtë fatkeqësi të madhe të përbashkët. Zero interpretim politik sot, përveçse një thirrje qeverisë të shpallë menjëherë gjendjen e emergjencës, për të mjekuar të dëmtuarit, mirëmenaxhuar panikun dhe pasojat e tërmetit”. Kjo do të ishte deklarata e parë i liderit të opozitës, Lulzim Basha në 26 nëntor në ditën e tërmetit “apokaliptik” në Durrës dhe në Thumanë që shënoi 51 viktima dhe qindra të plagosur.
Deklarata e parë e Bashës u mirëprit atë ditë, i cili në këtë fatkeqësi kombëtare nuk doli ta shfrytëzonte politikisht dhe madje bëri thirrje për një solidaritet në këtë moment të vështirë dhe ku bilanci i viktimave nga tërmeti po rritej frikshëm. E gjithë opozita në fakt ishte e frenuar në qëndrimet e saj duke lënë mënjanë politikën, duke përjashtuar ndonjë qëndrim të niveleve të dyta dhe të treta të përfaqësimit politik të partive të bllokut opozitar.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1199249711452086272
Qëndrimi publik i Bashës më 26 nëntor

Kryedemokrati Basha vijoi të paraqiste ndërkohë edhe planin me pesë pika të zgjidhjes së krizës, por edhe duke i bërë thirrje kryeministrit që të bllokonte koncesionet ndaj atyre që i cilëson si oligarkët dhe 150 milionë USD të jepeshin për banorët e prekur nga fatkeqësia natyrore. Gjithashtu kreu i PD-së, Basha do të kërkonte edhe shpalljen e gjendjen jashtëzakonshme, kërkesë që iu pranua nga Rama, duke shpallur, edhe pse me disa ditë me vonesë, edhe zonën e Kurbinit.
Nisur nga ky qëndrim që habiti edhe më analistët më skeptikë të së majtës për veprimin e Bashës, kryeministri Edi Rama nuk do të ngurronte që ta ftonte publikisht dhe të bëheshin bashkë ne përballimin e kësaj situate.
Vetë Rama do të ripostonte në faqen zyrtare të Twitterit mesazhin e Bashës së dhënë më 28 nëntor në ditën e Flamurit, dy ditë pas tërmetit.
“U bëj apel forcave opozitare të ulemi pa humbur kohë në tryezë për të dëgjuar idetë dhe propozimet e tyre konkrete. Në këto rrethana të jashtëzakonshme duhet mbiprodhim energjish pozitive për fatkeqët që kanë humbur gjithçka e mbarë popullin që meriton përkujdesje psikologjike. Lulzim Basha është koha e bashkimit konkret sepse vetëpërmbajtja në fjalor, sado e mirëseardhur është krejt e pamjaftueshme! Të ulemi për shqiptarët dhe t’u japim mesazhin e qetësisë, durimit, sigurisë se askush nuk do të jetë vetëm në këtë luftë për mbijetesë! Unë jam gati!”, ishte thirrja e Ramës ndaj kundërshtarit të tij politik.

https://twitter.com/ediramaal/status/1200761288223268866
Ftesa publike e Ramës në adresë të Bashës


Por, pavarësisht këtyre thirrjeje të njëpasnjëshme të kryeministrit Rama, kryedemokrati Basha do të refuzonte dorën e shtrirë dhe ftesën për t’u ulur në një tryezë me liderin e maxhorancës. “Përgjigjen e keni marrë nja 10 herë. Nuk kam asgjë për të shtuar nga ajo që ju kam thënë. Nuk do të bëhemi pjesë e një shfaqje që po na turpëron dhe po shton dhimbjen dhe vuajtjen e qytetarëve. Dialogu politik për reformën zgjedhore, zhbllokimi i dialogut politik për reformën zgjedhore sipas propozimit të shtatorit. Reforma zgjedhore dhe vullneti i qytetarëve përcaktojnë cilësinë e demokracisë dhe jo fotot dhe shfaqjet mes kryetarit të qeverisë dhe kryetarit të opozitës”, do të deklaronte Basha pas takimit me ministrin e Jashtëm italian, Luixhi Di Maio.

Basha në Durrës në takimet me banorët e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Gazeta Si, 13 dhjetorit 2019

Por tani kanë kaluar dy javë nga tragjedia e 26 nëntorit, opozita duket se po ka në një ndryshim të kursit të qëndrimeve. Duket se kthesa e liderit të opozitës ka ardhur pas takimit që ka pasur me aleatët në selinë e PD-së disa ditë më parë. Pjesë e diskutimeve mes aleatëve ka qenë edhe ftesa e kryeministrit Edi Rama, por që nga ky takim duket se është vendosur përfundimisht refuzimi i bashkëpunimit me maxhorancën, duke vënë në lëvizje edhe mekanizmat për realizimin e reformës zgjedhore. Për opozitën ftesa e Ramës është e pasinqertë.
“Kjo situatë e pasigurisë është e papranueshme, sepse po hyjmë në javën e tretë. Duhet të ketë qartësi se çfarë po ndodh dhe qartësia fillon me vlerësimin e çdo banese. Pa vlerësuar banesat, ju nuk mund të keni qartësi. Tani këta duhet të transferojnë fondet, se s’ka gjendje emergjence pa fonde. Të marrin ato 150 milionë dollarë të oligarkëve dhe t’i kalojnë në dispozicion të situatës së tërmetit. Shumë pak familje mund të jenë në gjendje të bëjnë diçka vetë, të tjerëve ky tërmet u ka marrë gjithçka. u ka marrë pasurinë e një jete. Shteti është i shqiptarëve. Fondet janë të shqiptarëve, buxheti është i shqiptarëve, nuk është as i oligarkëve, nuk është as i Edi Ramës”, do të ishin akuzat e Bashës gjatë ditës së djeshme, i cili ndryshoi kurs në këtë situatë post tërmet.

Pallate të dëmtuara në Durrës. Gazeta Si, 13 dhjetor 2019


Ai sulmoi Vangjush Dakon, ish kryebashkiakun socialist të Durrësit dhe tha se mban përgjegjësi për 99% të lejeve të ndërtimit që ka dhënë në qytetin bregdetar, ndërsa është shfaqur këto ditë pas tërmetit në krah të Edi Ramës në terren, të cilit i thotë “t’i bëj ato letrat unë”. Për Bashën, përgjegjësi mban shteti.
Por më ashpër në qëndrime po të shfaqet kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi që do të “shpërthente” në akuza ndaj kryeministrit Edi Rama. Nga studiot televizive, në të cilat mungoi këto 2 javë pas 26 nëntorit, Kryemadhi do ta akuzonte Ramën si përgjegjës kryesor për mos veprim ma dashje. “Z. Rama është përgjegjës për mosveprim me dashje. Këtu kam një raport të United State European Common, që në 2014-n ka njoftuar qeverinë shqiptare për mosfunksionimin e emergjencave civile. Është 111 faqe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk është lëvizur as gishti. Ka ardhur koha për t’u folur shqiptarëve me emra konkret. Baza e mbrojtjes civile në Ministrinë e Mbrojtjes, Edi Rama ia ka dhënë klubit sportiv Partizani ku drejtues i klubit është vëllai i tij. Tani po të them që fushat e sportit që po bëhen në bazën e mbrojtjes civile”, do të ishin akuzat e Kryemadhit, e cila duket se nuk ka qenë e kënaqur edhe me qëndrimet e moderuara të Bashës në këto dy javë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi

Ndërkohë zyrtarët e PD-së, dy nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi kanë qenë më të ashpër me drejtuesit e qeverisë qendrore dhe lokale të zonave që u goditën nga tërmeti, ku kanë lëshuar akuza por edhe kanë ngritur një sërë pyetjes për kryebashkiakët dhe drejtuesit e qeverisë. A ishte ky një “armëpushim” që mbaroi mes pozitës dhe opozitës dhe palët do t’i rikthehen betejës para 26 nëntorit, duke bërë pjesë të agjendës së tyre edhe tërmetin dhe situatës pas tij? Kjo mbetet për tu parë. Por sinjalet e një dite më parë të zotit Basha tregojnë se opozita po ndryshon strategji dhe qëndrime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë