Ne rrjet

Dy dekada më parë, kur Thaçi kërkonte lirimin e Kurtit nga burgu. Sot, cilat shtete do futen garant për ish drejtuesit e UÇK?

Gjykata Speciale ka refuzuar që ta lirojë me kusht ish-presidentin e Kosovës dhe ish-drejtorin politik te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi por dhe ish-udhëheqësit e tjerë ushtarakë të kësaj ushtrie.

Megjithate, në vendimin e publikuar së fundmi, të akuzuarve u hapet një rrugë tjetër për t’u mbrojtur në liri në të ardhmen.

Sipas gjyqtarit Kai Ambos, nëse të akuzuarit marrin pëlqimin e një shteti të tretë dhe garantojnë se të akuzuarit do të mbrohen në liri, atëherë ka mundësi që Thaçit dhe të tjerëve t’u pranohet kërkesa për lirim të përkohshëm dhe të mbrohen në liri.

Një artikull i vitit 2001, dëshmon për kohën kur Hashim Thaçi si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovë kishte kërkuar lirimin nga burgu të Albin Kurtit. Këtë kërkesë, Thaçi ua bënte liderëve të fuqishëm politikë botëror.

Ai u kishte shkruar Sekretarit të shtetit amerikan, Kolin Pauell, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan e ministrave të jashtëm të Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

“Kërkojmë nga autoriteti Juaj që të shfrytëzoni influencën e shtetit që përfaqësoni me qëllim që të lirohen sa më parë liderët e lëvizjes studentore, Nait Hasani dhe Albin Kurti si dhe të gjithë të burgosurit e tjerë politikë shqiptarët”, thuhej në letrën e Thaçit të vitit 2001, të publikuar në të përditshem “Zëri ditor”.

Nëpërmjet të së njëjtës letër, Thaçi kishte kërkuar edhe për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit.

“Fjala është për absurditetin që karakterizojnë vendimet e autoriteteteve të reja të Beogradit në vazhdimin e mbajtjes në burgjet serbe të qindra shqiptarëve dhe refuzimin e dhënies së informative për mijëra të tjerë që konsiderohen të zhdukur, vecanërisht intelektualin e mirënjohur Ukshin Hoti”, kishte shkruar Thaçi.

Hisen Berisha, ish-komandant i UÇK-së në Koshare dhe ish-kandidat për deputet nga radhët e PDK-së tha së fundmi se presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq është ofruar të jetë garant në Gjykatën Speciale për lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në mënyrë që ata të mbrohen në liri. 

“Një mik i imi në Kroaci më thotë, se Presidenti kroat është ofruar të jetë garant, i mbrojtjes në liri të këtyre personaliteteve. Dhe jo vetëm njërit nga ta që mund ta ketë më mik – në këtë rast po flas për z. Veseli- por për të gjithë ata që janë atje”, ka deklaruar Berisha. “Kurse përfaqësuesit e institucioneve tona, nuk patën kurajo ta marrin këtë përgjegjësi, sepse edhe nuk ju besojnë”, ka shtuar ai.

Jo vetëm Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, por edhe Presidenti shqiptar, Ilir Meta dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mund të garantojnë për lirimin me kusht të ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga. Kështu është shprehur drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

“Nëse kjo nuk garantohet nga Kosova, e njëjta mund të garantohet nga Shqipëria, respektivisht nga Presidenti Meta apo Kryeministri Rama, por që nuk e kanë peshën dhe rëndësinë e njëjtë sikur kjo të vinte nga Kosova”, u shpreh Miftaraj.

Ndërsa gazetari Agron Halitaj ka thënë se si ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen-Petersen, kishte shprehur gatishmëri për ofrim të garancisë për mbrojtje në liri ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili po gjykohej për krime lufte në Hagë.

“Kur merret si shembull rasti i lirimit të Ramush Haradinajt nga Gjykata e Hagës për t’u mbrojtur në liri, dhe përmendet vetëm garancia e ofruar nga liderët institucional të asaj kohe në Kosovë, më në krye ish-presidentin Ibrahim Rugova, atëherë duhet ditur se kështu i hyhet në hak danezit, Soren-Jessen Petersen. Nuk duhet harruar se asokohe ky burre ishte kryeadministrator i Kosovës, dhe si i tillë ishte autoriteti numër një në vendin tonë. Me të shkuar Haradinaj në Hagë, ai menjëherë pati deklaruar publikisht se ishte i gatshëm të ofronte garanci nëse ish-kryeministrit do t’i ofrohej mundësia që të mbrohet në liri”, thuhet në postimin e tij.

Historia politike e pasçlirimit të Kosovës i mban në mend Thaçin e Kurtin si dy kundërshtarët më të mëdhenj politikë. Ata shpesh e kanë akuzuar njëri-tjetrin edhe për bëmat gjatë dhe para luftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë