Muzike

Dy Botët që i bën bashkë muzika greke

Mexosopranoja  Elena Marangou dhe pianistja Agapi Triantafyllidi, sjellin mbrëmjen e 6 tetorit në Tiranë një shekull muzikë greke. Koncerti i dy artisteve nga Greqia, i cili do të mbahet në  Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, vjen në vazhdën e  edicionit të 12 të festivalit “Takimet Muzikore të Dy  Botëve” . Kjo është nata e katërt e këtij festivali që ditë më parë udhëtoi në kalanë e Gjirokastrës, Qendrën “Arka” në Shkodër dhe teatrin “Petro Marko” në Vlorë.

Posteri i Festivalit "Takimet e Dy Botëve"

Ky festival shihet edhe si një pikëtakimi mes së kaluarës dhe së ardhmes, përmes trashëgimisë kulturore. Ky edicion, sipas drejtoreshës së  festivalit,  organizohet nën ombrellën e Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore. "Për vite me radhë ne jemi munduar të gjejmë rrugë të ndryshme të promovimit të trashëgimisë kulturore nëpërmjet eventeve të muzikës klasike, por edhe mbajtjes gjallë të traditës muzikore shqiptare”, është shprehur  Ilda Mara, drejtoreshe e   këtij festivali, ndërsa dy artistet nga shteti fqinj premtojnë të sjellin atmosferë të ngrohtë me muzikë greke.

Elena Marangou


Mexosopranoja Elena Marangou ka lindur në Athinë dhe ka interpretuar me orkestra prestigjioze si “Philarmonie” apo  Orkestra “Altstadtherbst” e Dyseldorfit, ajo shtetërore e Athinës, Operan Kombëtare Greke, e të tjerë.Ajo ka kënduar në festivale dhe koncerte të shumta në Greqi, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar,  e Spanjë, ndërsa publiku shqiptar ka mundësi ta dëgjojë edhe në Tiranë. Marangou sapo ka publikuar edhe albumin e saj solo me vepra nga Poulenc, Mussorgsky, Britten, Brahms, Koukos, Couroupos e Baltas.

Pianistja AgapiTriantafyllidi 

Ndërsa Agapi Triantafyllidi mbahet si një nga pianistet më të rëndësishme greke,  pasi është shfaqur në sallat e mëdha të koncerteve me shumë orkestra kryesore të Europës dhe Amerikës së Jugut.Gjatë karrierës së saj ajo është takuar por dhe është ndikuar së shumti nga virtuozët e pianos si Dmitri Bashkirov, Igor Lazko, Vassili Lobanov, Ivo Pogorelich, Vladimir Ovchinnikov, Alexander Lonquich dhe Alan Weiss. Ajo është themeluesja e Ansamblit EROS.Në 12 edicionet e tij, Festivali “Takimet Muzikore të Dy Botëve” ka sjellë artistë shqiptarë si Inva Mula, Tedi Papavrami, Mirjam Tola, por edhe artistë të huaj  me famë ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë