Drejtësia

Dy avokatë nga shteti për Laert Haxhiun, gjyqi shtyhet për në 17 nëntor

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme i ka caktuar dy avokatë të tjerë kryesisht Laert Haxhiut, i cili po gjykohet në mungesë për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve në Lushnjë.

Në seancën e së kësaj të enjteje, u revokua avokatja tjetër e caktuar më herët nga shteti, Pranvera Doçi. Avokatët e shtetit do të jenë Artan Simoni dhe Edvis Gorishti.

Ndërkohë, Detar Hysit avokati me prokurë të posaçme nga familjarët e Laert Haxhiut, i rrëzohet kërkesa për dorëheqje nga mbrojtja, ndërsa mosparaqitja e tij në seancë u shoqërua me ndëshkimin administrativ prej 5 mijë lekësh të rinj.

Gjyqi në GJKKO u shty për datën 17 nëntor në orën 11:00, ndërsa ka mbetur për t'u pyetur edhe një dëshmitar nga prokuroria dhe më pas do jetë radha e dëshmitarëve të mbrojtjes.

Grupi i Laert Haxhiut u godit gjatë operacionit “Kurrë mos harro” pas dëshmisë së Artan Tafanit. Ky i fundit, anëtar i bandës së Laert Haxhiut, u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe rrëfeu krimet e këtij grupi.

Haxhiu dhe pjesa tjetër e të arrestuarve, akuzohen se janë autor të 4 vrasjeve në Shqipëri, si dhe për disa plane vrasjesh dhe ngjarjeve të tjera të ndodhura me shpërthim tritoli. Disa prej ngjarjeve janë ende në proces verifikimi dhe hetimi.

Laert Haxhiu ndodhet i arrestuar në Greqi në pritje të vendimit të gjykatës për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Ai rezulton i dënuar me 18 vite burg për vrasjen Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, në vitin 2017. Ndaj tij ka edhe masë sigurie nga gjykata e Fierit për vrasjen e Besnik Hidës në vitin 2019.

Ministria e Brendshme në Shqipëri konfirmon se Gjykata e Apelit të Janinës ka dhënë vendim pozitiv për ekstradimin në Shqipëri, por avokati Detar Hysi shprehet se seanca gjyqësore është shtyrë në Greqi.

Do të jetë Gjykata e Lartë në shtetin helen që do thotë fjalën e fundit për ekstradimin ose të jo të 31-vjeçarit nga Lushnja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë