Politike

Dvorani: Sqarova gjithçka në prokurori, nuk merrem me filma me metrazh të shkurtër

Për më shumë se dy orë kreu i KED-së, Ardian Dvorani, është pyetur në organin e akuzës rrethanat se si ka ndodhur procesi i emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në një prononcim për mediat, ai tha se ka sqaruar gjithçka në Prokurori.
“Ua kam shpjeguar faktet dhe rrethanat si kanë ndodhur, dhe paraqita shpjegimet e mia. Shpjegimi është shumë i gjatë, në pak dalje në shpjegimet e mia e kam dhënë qëndrimin tim. Është prokuroria që do të bëjë hetimin në përputhje me ligjin dhe do t’ia shprehë ato më pas gjykatës”, tha ndër të tjera Dvorani.
Lidhur me videot të cilat ka paralajmëruar Presidenti, njëra prej tyre publikuar një ditë më parë, Dvorani tha se askush nuk mund të flasë me vepra arti, duke i cilësuar ato seriale me metrazh të shkurtër apo të shkurtër të gjatë. Ai tha se këto video duhet t’u drejtohen organeve kompetente.
“Nuk mund të flas me detaje, hetimi zhvillohet në këtë godinë, as në TV, as në gazeta. Këtu kam bërë gjithë shpjegimet e hollësishme. Institucionet, funksionarët kushtetues e publik nuk është e mira t’i shtrojnë problematikat me serial të shkurtër, të gjatë por t’i çojnë në organet kompetente”, u shpreh Dvorani në një prononcim për mediat në Prokurorinë e Tiranës.
Pyetur nga gazetarët, nëse do të japë dorëheqjen, pasi ka kaq shumë vite në sistemin e drejtësisë dhe a ka më besim te ky sistem, Dvorani tha se kjo ishte një pyetje pa kuptim, pasi përderisa është pjesë e sistemit, ka besim dhe nuk ka menduar të japë dorëheqjen.
“Unë nuk e kam menduar kurrë që jam mbi ligjin, të gjithë janë të barabartë para tij”, ka thënë ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë