Njerez

Duvalius Gjokoviç, insekti i zbuluar në Serbi merr emrin e tenistit të madh

Gazeta Si - Të jesh një hero kombëtar ka avantazhet dhe privilegjet e veta. Novak Gjokoviç për shembull është shenjtëruar deri në atë pikë në vendin e tij sa emri i tij i është vënë një specieje të re insekti, që është zbuluar së fundi në Serbi.

Bëhet fjalë për Duvalius Djokovici. Lajmin e ka bërë të ditur profesor Nikola Vesoviç, një studiues dhe kërkues në universitetin e Beogradit.

"Për më shumë se 15 vjet Gjokoviç ka bërë krenare gjithë Serbinë, duke u bërë gati një pjesëtar i gjithë familjeve tona, - ka shpjeguar Vesoviç. - Gjokoviç nuk është vetëm ambasadori i vendit tonë, por është tenisti më i fortë dhe një nga sportistët më dominues në botë".

Dhe serbët nuk është se i kanë bërë ndonjë nderim aq të madh ish-numrit 1 në botë. Insekti i zbuluar në qytetin e Ljubovija bën pjesë në familjen e brumbujve, jeton nën tokë dhe është i verbër. Zbulimi i species së re është publikuar edhe në revistën "Annales Zoologici Fennici", bibla e entomologjisë.

Vendimi për ta quajtur brumbullin Duvalius Djokovici është pritur mirë nga fituesi i 21 Slameve. Gjokoviç e ka postuar zbulimin menjëherë në profilin e tij në Instagram.

"E kemi bërë, - ka theksuar Vesoviç, - në shenjë mirënjohjeje. Kishim nevojë t’i kthenim Novakut pak nga ajo që gjithmonë ka bërë për vendin tonë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë