Lajme

Durrës, tritol makinës së kreut të Hekurudhave

Gjatë natës së mbrëmshme i është vënë eksploziv makinës së drejtorit të Hekurudhave Shqiptare, Ani Dyrmishi.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen ku banon, pikërisht në lagjen nr. 4, pranë stacionit të trenit dhe mësohet se makina ishte e parkuar.

Fatmirësisht, Dyrmishi ka pikasur lëndën plasëse para se të hipte në makinë, duke shmangur pasojat.

Policia po punon për hetimin e plotë të ngjarjes. Akoma nuk dihen autorët dhe shkaqet.

Dyrmishi mban postin e drejtorit të Hekurudhave prej rreth një viti. Më herët, ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Hipotekës. 

Ani Dyrmishi, drejtori i Hekurudhave në Durrës ka dhënë sqarime për lëndën plasëse artizanale që u gjet sot afër makinës së tij. Ai tha se nuk kishte konflikte me askënd, duke shtuar se në Durrës lëviz gjatë gjithë kohës në këmbë.

“Më lajmëruan komshinjtë mëngjesin e sotëm se një bidon i zi gjendej poshtë makinës. Fqinjët e kishin parë dhe më morën në telefon. Shkova e pashë bidonin e zi poshtë makine dhe lajmërova, bidoni ishte në tokë. Nuk e di nëse ishte vënë për mua apo për dikë tjetër, sepse nuk kam konflikt me njeri. Unë lëviz në këmbë në gjithë Durrësin dhe nuk mendoj se jam unë objektivi”, tha Dyrmishi.

Ndërkohë, ka reaguar zyrtarisht Policia e Durrësit pas lëndës artizanale (plasëse) që u gjet afër makinës së drejtorit të Hekurudhës në Durrës, Ani Dyrmishi.

Sipas policisë, rezulton se pakos së dyshuar i mungonin disa elementë për të qenë lëndë plasëse, ndërkohë po hetohet rreth ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë