Futboll

Duka: Të përfshihet sporti në paketën e kompensimit

Koronavirusi ka sjellë anulimin e aktiviteteve sportive në rang kombëtar duke krijuar kaos dhe mungesë financash, ku drejtuesit e disa klubeve kanë kërkuar që qeveria të hedhë sytë nga futbolli dhe të ndihmojë klubet shqiptare, pasi e kanë të pamundur të paguajnë futbollistët e tyre. Armand Duka, presidenti i FSHF-së, në një intervistë për News24 i bën thirrje qeverisë shqiptare të përfshijë sportin në paketën e kompensimit. “Personalisht jam mirë, nuk jam infektuar, vijoj të jem në gjysmë karantinë. Dy pjesëtarë nga stafi i FSHF janë infektuar me Covid-19 dhe të dy tashmë janë shëruar dhe kanë rezultuar negativ’’, tha ai.  

‘’Po jetojmë një situatë të paprecedentë. Ne kemi udhëzuar specialistët tanë të këshillojnë futbollistët ta kalojnë sa më mirë këtë situatë. Gjithsesi duhet të përshtatemi me këtë jetë të re dhe shpresoj ta kalojmë sa më shpejt. Me Ramën nuk kam diskutuar çështjen e ndihmës financiare. Në fillim e morëm si lojë dhe menduam se nuk do kishim nevojë për gjëra të tilla. Kam besim se qeveria do i ndihmojë futbollistët dhe trajnerët, sepse eshtë e pamundur që Federata t’i kompensojë me buxhetet që ka’’, u shpreh Duka.

"Kemi bërë propozime për ndryshimin e një pakete ligjore, por nuk e di se ç ’është bërë. Ligji nuk plotëson kërkesat e sportit. Është i njëjtë me atë të vitit 1994, nga i cili kanë ardhur zero lek për sportin. Është një ligj nga njerëz pa ide të Ministrisë së Sporteve apo Financave, që nuk duan të bëjnë mirë për sportin. Qeveria nuk duhet ta pranojë këtë ligj. Me Rejën flas çdo ditë. Është mirë, por është i mbyllur në shtëpi dhe rregullat në zonën ku jeton ai janë më të forta se këtu’’, tha kreu i FSHF.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë