Futboll

Duka optimist: Kemi aplikuar, do sjellim Europianin e të rinjve në Shqipëri

Gazeta Si – Armand Duka, presidenti i FSHF-së, mori pjesë sot në aktivitetin e zhvilluar në Korçë, ku u bë prezantimi publik i propozimeve për rizhvillimin e stadiumit “Skënderbeu” dhe rikonstruksionin e Pallatit të Sportit nga 3 studiot ndërkombëtare.

Kreu i futbollit shqiptar vlerësoi në fjalën e tij bashkëpunimin me qeverinë për investimet në disa prej stadiumeve në vend. Sipas tij, Shqipëria mund të sigurojë organizimin e finaleve të një Europiani për të rinj pikërisht falë këtyre investimeve.

Armand Duka dhe Edi Rama. Gazeta Si, 2 maj 2023

“Jam shumë i kënaqur të jem mes jush në një ditë vërtetë historike për Korçën, për futbollin dhe tifozët e qytetëruar korçarë. Investimet që kemi bërë kohëte fundit e kanë futur Shqipërinë në hartën e vendeve me infrastrukturë të zhvilluar, çka çoi në besimin që UEFA pati ndaj nesh, duke na besuar organizimin e disa turenve ndërkombëtarë, vetëm për vitin 2023 plot 10 të tilla.

Kryeministri në fillim të këtij viti lançoi idenë e ndërtimit të 3 stadiumeve të reja në Korçë, Durrës e Vlorë. Puna jonë ka filluar që në shkurt.

Nisur nga investimet, projektet e reja dhe eksperienca e fituar në organizimin e eventeve të rëndësishme ndërkombëtare, FSHF do jetë pjesë e garës për të organizuar në vendin tonë finalet e Europianit për të rinj në vitin 2025. Jam i bindur që në bashkëpunim me qeverinë dhe me të gjitha faktorët e tjerë, do t’ia dalim ta fitojmë këtë garë dhe të kemi këtë event të rëndësishëm në Shqipëri.

Me përfundimin e këtyre tre stadiumeve të reja, ndoshta dhe një të katërti në Tiranë, “Selman Stërmasit”, marrim vendin e parë në rajon sa i përket infrastrukturës futbollistike. Mbetet sfidë për të ardhmen ndërtimi i fushave të stërvitjeve në çdo qytet e fshat të Shqipërisë.

Si FSHF, kemi lançuar projektin e “100 fushave” dhe gjej rastin t’u bëj thirrje të gjitha njësive vendore që të vënë në dispozicion të këtyre projekteve sipërfaqet e pronave dhe të investojmë së bashku. Meqë jemi në Korçë, në bashkëpunim me bashkinë, nëse ndërtojmë 3 apo 4 fusha të reja, ato do t’i shërbenin më së miri zhvillimit të futbollit në këtë qytet”, - tha mes të tjerash Duka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë