Futboll

Duka: Koha për një paketë ligjore, që do krijonte tregun e sportit në Shqipëri

Gazeta Si – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mori sot pjesë në kongresin ‘Arritjet dhe Sfidat e Sportit në Shqipëri’, i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Kreu i FSHF-së mbajti një fjalim të gjatë në këtë kongres, ku më së shumti evidentoi zhvillimin e futbollit gjatë viteve të fundit.

“Padiskutim arritjet duhen pasqyruar dhe evidentuar, sepse na ndihmon shumë për edukimin e një shoqërie sportive, si dhe për të reflektuar ndaj gjërave që nuk kemi bërë mirë, apo s’kemi pasur ritmin e duhur”, - theksoi Duka në fillim.

Armand Duka, president i FSHF-se. Gazeta Si, 18 prill 2023

Ai preku më pas sfidat që e presin sportin në përgjithësi: “Sporti shqiptar përballet sot me shumë sfida, ku në majë qëndron synimi për krijimin e kulturës sportive. Jemi një shoqëri jo sportive. Këtu nuk jam duke folur për sportin profesionist, por për atë amator.

Sot që flasim, sipas të dhënave të EuroBarometrit, në Bashkimin Europian mesatarja europiane e njerëzve që merren me sport është 40%. Në Shqipëri vetëm 3-4% e popullsisë ushtron sport. Janë Shifra alarmante që kerkojnë ndërhyrje dhe veprime konkrete”.

Duka foli pastaj gjerësisht për punën që është bërë në futbollin shqiptar pas viteve ’90, kur ky sport ishte në kolaps. Ai përmendi me radhë zhvillimet sportive, duke nisur nga niveli organizativ, për të vazhduar me shtimin e kompeticioneve futbollistike dhe përmirësimin e madh insfrastrukturor.

“Sot që flasim, organizohen 23 gara kombëtare për djem, 3 gara kombëtare për vajza, kampionate rajonale për djem e vajza, si dhe kompeticione kombëtare për futbollin amator 5x5, 6x6 dhe 9x9, ku në total luajnë 22 mijë futbollistë profesionistë, gjysmë profesionistë dhe amatorë. Futbolli i vajzave është gjithashtu një hapësirë e rëndësishme në futbollin tonë, një prioritet i madh i Federatës.

Për përmirësimin e infrastrukturës politikat tona kanë qenë të duhura. Kemi ndërtuar 62 fusha loje, 19 fusha stërvitore me bar artificial, 13 tribuna stadiumesh. Falë bashkëpunimit shumë të mirë me qeverinë kemi sot “Elbasan Arenën”, “Loro Boriçin”, “Kukës Arenan”, “Air Albania Stadium” dhe ka marrë rrugë procesi i ndërtimit te tre stadiumeve në Korçë, Durrës dhe Vlorë. Sot ekipet tona Kombëtare kanë një shtëpi modern. Falë kësaj pune, UEFA na ka besuar organizimin e shumë aktiviteteve ndërkombetare”, - shtoi Duka.

Kreu i FSHF-së u ndal pastaj te Kombëtyarja dhe progresi i saj, duke nxjerrë në pah pozicionin në renditjen e FIFA-s, nga vendet 110 deri në 130, tashmë në vend 68-të.

Duka përsëriti në fjalën e tij nevojën për Ligjin e Sponsorizimit: “Ka ardhur koha të punojmë së bashku për të miratuar një paketë të plotë ligjore, që të krijonte tregun e futbollit dhe sportit në Shqipëri. Duhet ta fillojmë me Ligjin e Sponsorizimit. Ekonomia shqiptare do të ishte përfituesja më e madhe e krijimit të këtij tregu.

Të ardhurat e siguruara nga bastet sportive janë gjithashtu një mekanizëm, që mund të ndihmojë buxhetin e sportit shqiptar. Ne si FSHF do të propozonim që të jenë të përcaktuara qartë në ligj ndarja e të ardhurave. Sa do të përfitojë futbolli, basktebolli, volejbolli dhe sa sportet elitare, si peshëngritja, mundja e atletika”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë