Futboll

Duhet ligji ‘Thatcher’! Historia e problemeve me tifozët zgjat prej 50 vitesh!

Gazeta Si – Napoli po fiton titullin kampion, është duke pritur vetëm matematikën, por në vend që të ishte atmosferë feste, është një situatë kaotike me tifozët. Një situatë e tensionuar mes presidentit Aurelio De Laurentis dhe një pjese të tifozëve.

Ndeshja me Milanin në ‘Maradona’ u luajt në një klimë surreale, pa mbështetjen e tifozëve më të zjarrtë, që ngritën zërin vetëm për të kontestuar presidentin dhe për të krijuar rrëmujë mes tyre në sektorin përkatës. Një situatë gati absurde, me titozët që përlesheshin mes tyre.

"Ata nuk janë tifozë të vërtetë, janë rrëmujaxhinj dhe shkelës rregullash që lejohen të shkojnë në stadium, - ka thënë De Laurentis, duke bërë apel për ndryshim. – Për sa kohë nuk aplikohet ligji ‘Thatcher’ edhe në Itali, do të kemi këto probleme”.

Aurelio de Laurentis, presidenti i Napolit. Gazeta Si, 4 prill 2023

Mes temave më të debatuara të tifozerisë më të zjarrtë napoletane dhe presidentit është një kod sjelljeje, që nuk lejon futjen në stadium të megafonëve, daulleve, parullave. Po ashtu, edhe çështja e çmimit të biletave, që nga tifozët e Napolit vlerësohet shumë i lartë.

Në qytet ka një lloj frike se do të ketë trazira edhe gjatë festës së titullit, pas asaj që ndodhi në ndeshjen me Milanin. “Ata janë shkelës rregullash që shkojnë në stadium dhe shqetësojnë tifozët e vërtetë dhe familjet e tyre, - ka shtuar De Laurentis. - Të mos flasim për festë. Napoletanët po festojnë dhe unë jam i shqetësuar”.

Me ligjin ‘Thatcher’ De Laurentis ka parasysh masat e forta që mori qeveria britanike e udhëhequr nga kryeministrja Margaret Thatcher ndaj sjelljes së dhunshme të tifozëve para viteve ’90. Ishte koha e huliganëve, tifozëve të organizuar të padisiplinuar. Një sjellje që arriti pikun më 29 maj 1985 në stadiumin ‘Heysel’ të Brukselit, ku ndodhi tragjedia.

Margaret Thatcher mori një sërë masash për futbollin kombëtar, duke ndaluar pijet alkoolike në stadium dhe forcoi kangjellat ndarëse mes tifozërive. Po ashtu, u gjet një mënyrë për të identifikuar individët që shkaktonin trazira në stadiume.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë