Futboll

Duhet evituar një Brazil-Argjentinë 2, në fushë zbret edhe diplomacia

Kombëtaret, normat Covid-19 dhe polemikat. Ja ku jemi sërish, ndeshjet e radhës ndërkombëtare janë te dera dhe në Amerikën e Jugut, siç bën me dije “Infobae”, kjo çështje është gati të krijojë të tjera përplasje. Gjithçka lidhet me atë që do të ndodhë në Brazil dhe raportet mes federatës së këtij vendi dhe Premier Ligës.

Ajo çfarë ndodhi në fillim të ndeshjes Brazil-Argjentinë, ku autoritetet shëndetësore braziliane shoqëruan 4 lojtarë argjentinas për mosrespektim të protokollit, është ende e freskët. Objektivi është për të evituar një tjetër ngjarje të tillë dhe sapo trajneri Tite bëri publike listën e të grumbulluarve, menjëherë është aktivizuar edhe diplomacia.

Momenti i nderprerjes se Brazil-Argjentine. Gazeta Si, 25 shtator 2021

Ideja është që lojtarët e Premier Ligës që vijnë nga vendet e listës së kuqe duhet të kenë një lloj "trajtimi special", që do të thotë një karantinë më të lehtë. Çdo lojtar që kthehet nga vendi i tij, që në Angli konsiderohet si një vend i rrezikut të lartë, mund t’ia hedhë me një karantinë 5-ditore brenda ambienteve të klubit të tij, në vend që të qëndrojë 10 ditë në një hotel, siç ndodh me udhëtarët e tjerë.

Vendet që janë ende në listën e kuqe të Covid-it të qeverisë britanike, përfshijnë Argjentinën, Bolivinë, Brazilin, Kilin, Kolumbinë, Ekuadorin, Paraguajin, Perunë dhe Uruguajin. Në këtë situatë, po bëhen diskutime mes “Department of Digital, Culture, Media and Sport” (DCMS), Premier Ligës dhe “Football Association” për të gjetur një zgjidhje për ndeshjet ndërkombëtare të tetorit dhe nëntorit.

Shumë, për të mos thënë gjithçka, lidhet me Brazilin. Dhe mësohet se ka negociata me qeverinë federale që kush vjen nga Anglia, nuk duhet t’i nënshtrohet karantinës në Brazil. Seleçao do të luajë në shtëpi vetëm me Uruguajin më 14 tetor. Por edhe te Uruguaji janë të shqetësuar, pasi nuk duan që Kavani të gjendet në të njëjtën situatë me kolegët e tij argjentinas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë