Futboll

Dueli turko-gjerman/ Babai i Çalhanoglu: Gjithë Turqia do bëjë tifo për Interin

Gazeta Si – Ka një sfidë brenda sfidës në finalen e Championsit sot në Stamboll: dy turko-gjermanë përballë njëri tjetrit. Ndryshe nga Ilkai Gundogan, që luan për Gjermaninë, Hakan Çalhanoglu zgjodhi të vishte fanellën e Turqisë, ndaj dhe sot në mbrëmje gjithë vendi i tij do të mbështesë Interin.

Calhanoglu dhe Gundogan. Gazeta Si, 10 qershor 2023

Nga taksistët në trafikun e çmendur te rojet e sigurisë së ‘Ataturk Stadium’, duke kaluar nëpër bare dhe restorante. Në Turqi nuk gjen dot një person që të mos bëjë tifo për Hakan Çalhanoglu, turk me origjinë si Gundogan i Sitit, por me një diferencë thelbësore. Mesfushori i Sitit vendosi të luante për Gjermaninë, duke e menduar më të lehtë punën. Çalhanoglu, si miku-rival, ka lindur në Gjermani, por mbron ngjyrat e Turqisë, së fundi me shiritin e kapitenit.

"E di që populli im do të bëjë tifo për Interin", - tha një ditë më parë me buzëqeshje në fytyrë futbollisti zikaltër. Ai ka një lidhje të fortë me vendin e tij, kur ra tërmeti bëri jo pak donacione për të prekurit. Familja e tij ka emigruar në Gjermani në vitet ’70, kur u vendos në Manheim.

"Turqia është shtëpia jonë e vërtetë, sidomos për Hakanin”, - thotë me krenari Husejini, babai i futbollistit të Interit.

Husejin CCalhanoglu, babai i lojtarit te Interit. Gazeta Si, 10 qershor 2023

"Hakan ka lindur në Gjermani, - tregon ai më tej, - e respekton këtë vend, është mirënjohës, sepse është rritur aty dhe është bërë ky futbollist që është. Por ndihet vërtet turk, sepse është edukuar kështu dhe i ka dhënë gjithmonë përparësi origjinës së tij. Kjo na bën krenarë ne prindërve të tij.

Sa herë mundet, Hakan shkon në qytetin tim Bayburt, ka një lidhje të fortë me vendin. Aty bën hipizëm, që është sporti më i praktikuar, por dashuron edhe peshkimin në lumin Çoruh.

Nuk mund ta imagjinoni krenarinë e një babai të shohë djalin të luajë një finale me një skuadër si Interi në Stamboll. Ai është kapiten i Turqisë. Është vërtet kurorëzimi i një ëndrre, që tani shpresojmë ta plotësojë duke ngritur lart kupën.

Siti është një ekip gjigant, por Interi dhe Hakani kanë eliminuar skuadra të forta në Champions. Kur djali im u bë një lojtar i Interit, u bënë me të edhe shumë turq. Mendoj se këtë herë e gjitha Turqia do të bëjë tifo për Interin. Nëse Interi fiton, shumë njerëz do të festojnë si në Milano, ndërsa ne do të kemi një festë të madhe familje në Bayburt".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë