Dosje

Dubai, streha e (pa)sigurt e bosëve shqiptarë të krimit!

Gazeta Si – Miti se Dubai është një strehë e sigurt për t’i shpëtuar drejtësisë, për personazhe të botës së krimit shqiptar, duket se ka rënë.

Pas Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçes, verën e vitit 2024, të premten e kaluar u ekstradua Florenc Çapja, i dënuar me burg përjetë si porositës i vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në vitin 2012 në Elbasan.

Ai mbërriti në  kryeqytetin shqiptar nëpërmjet një linje tranziti nga Stambolli, ndërsa jetonte prej 10 vitesh në Emiratet e Bashkuara Arabe, më konkretisht në Dubai.

Në vitin 2021, ai u arrestua me qëllim ekstradimin, por u la nën mbikëqyrjen policore, pasi mes dy vendeve nuk ka një traktat ekstradimi. Disa muaj më vonë ai fitoi tërësisht lirinë duke u pajisur dhe me leje qëndrimi.

Por 44-vjeçari u shpall sërish në kërkim nga policia shqiptare, të cilët kërkuan dhe arritën të kryenin ekstradimin e tij në vendin tonë për t’u përballur me drejtësinë.

Deportimi i Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçes

Por nëse ai i Çapjes, u njoftua zyrtarisht si një ekstradim, mbërritja e Plaurent Dervishajt dhe mikut të tij, Julian Meçe shënoi pikën e kthesës. Në fakt, ajo e tyre ishte një deportim nga Dubai më shumë se sa një ekstradim.

Të dy, kanë mbërritur në Tiranë përmes një “operacioni të fshehtë”, siç konfirmoi Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një deklaratë për mediat.

“Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në sajë të punës profesionale hetimore dhe gjurmuese të njësive të specializuara pranë Departamentit të Policisë Kriminale, mundësoi sjelljen nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Shqipëri të personave të shumëkërkuar Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj”, njoftoi policia para 8 muajsh.

Ata akuzohen nga drejtësia shqiptare për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre ajo për vrasjen e Klodian Saliut në shkurt 2005. Dervishaj ishte arrestuar disa vite me parë në Dubai, por arriti të fitonte lirinë për të qëndruar atje.

Çështja tjetër për të cilën Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe akuzohen, është atentati i ndodhur në 1 nëntor 2019 tek mbikalimi i Shkozetit, ku u plagos ish-prokurori Arjan Ndoj, Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Sukthit dhe Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit, i cili humbi jetën një javë më vonë në spital.

Durim Bami, ekstradimi i të cilit dështoi nga Dubai

Dështimi me Durim Bamin

Qershorin e vitit të shkuar, Interpol Tirana shpalli me bujë fillimin e procesit të ekstradimit të Durim Bamit nga Dubai, një personazh i shumë kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Por pavarësisht deklaratës së kryepolicit të vendit asokohe, Rrumbullaku, një nga personazhet e dyshuar të krimit të organizuar në Nikël, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”, duket se fitoi betejën me autoritetet shqiptare.

Të hënën e 10 qershorit 2024, Durim Bami u shoqërua nga policia e Emiratit të Dubait, pas një urdhër kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga zyra e Interpol Tiranës.

Dy ditë më pas, me 12 qershor, gjykata e Dubait, vendosi masën e sigurisë “60 ditë burg” për të në zbatim të kërkesës për ekstradim nga shteti shqiptar.

Si Ministria e Brendshme, ashtu edhe ajo Drejtësisë, premtuan se do të kryenin të gjitha lëvizjet për ta ekstraduar Bamin nga Dubai, qoftë edhe duke tentuar deportimin e tij.

Ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla, gjatë një vizite pune në Dubai

Fillimisht ishte Gjykata e Posaçme, e cila në qershor i dërgoi kërkesën e ekstradimit dhe dosjen kriminale për faktet penale të Durim Bamit autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Më pas, ishte ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili në 20 qershor tha se janë në kontakt me autoritetet policore të Emirateve të Bashkuara.

Balla theksoi se janë në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga SPAK për ekstradimin e Bamit.

Por pas 2 muajsh, pala arabe vendosi të refuzojë ekstradimin e Bamit, duke shfryrë deklaratat e autoriteteve shqiptare.

Me mungesën e një marrëveshjeje zyrtare mes dy vendeve, koha në dispozicion dhe dokumentet duket se nuk mjaftuan.

Franc Çopja (djathtas) dhe momenti i mbërritjes pas ekstradimit nga Dubai në Belgjikë

Problem jo vetëm shqiptar

Në fund të vitit 2023, Emiratet e Bashkuara Arabe ekstraduan në Belgjikë narko-trafikantin shqiptar, Franc Çopja alias Franc Gergely, i cili së bashku me vëllain e tij, Hajdar Çopja, dyshohet si porositës i disa vrasjeve, përfshirë atë të Ardit Spahiut në Sint-Jans-Molenbeek në vitin 2020.

Franci dhe Spahiu, të dy nga Elbasani, i përkasin dy klaneve rivale shqiptare, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në trafik të gjerë kokaine.

Gergely prej disa vitesh jetonte në Dubai, ku sipas faqes së një agjenti imobiliar, ai kishte ndërtuar një vilë në lagjen luksoze “Dubai Hills”, pranë fushës së golfit me të njëjtin emër.

Më 14 shtator 2023, 31-vjeçari u arrestua në Abu Dhabi kur tentoi të hynte me një pasaportë false. Sipas mediave belge, Franci Çopja nga Elbasani është krimineli i parë që u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara në Belgjikë që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes mes dy vendeve.

Një numër gjithnjë e në rritje figurash të krimit shqiptar kanë gjetur strehim dhe po vazhdojnë aktivitetin e tyre të paligjshëm, si ai i pastrimit të parave në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Duke mos pasur një marrëveshje ekstradimi, procesi bëhet edhe më i ndërlikuar nëse personi i kërkuar ka vendbanim të përhershëm në këtë vend.

Më herët, ministrat e Brendshëm të Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje sigurie që lehtëson shkëmbimin e informacionit dhe trajnimin mes forcave policore të dy vendeve, por çështja e ekstradimit nuk u përmend.

Por problemi nuk është vetëm shqiptar. Edhe Belgjika, ashtu si Italia ka luftuar për të siguruar ekstradimin e Eldi Dizdarit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pavarësisht faktit se prokurorët e akuzojnë atë për drejtimin e një rrjeti të madh trafiku kokaine të njohur si “Compania Bello”.

Eldi Dizdari, një nga trafikantët shqiptarë më të kërkuar ndërkombëtarë

Në muajin shtator 2020, policia e Dubait njoftoi arrestimin e Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, për llogari të Prokurorisë së Firences.

Por në dhjetor 2022, shqiptari i skeduar në veprimtarinë e trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe në masakrën e ish-Bllokut të 4 tetorit 2018 në Tiranë, ka përfunduar dënimin dhe është liruar nga burgu.

Tashmë mbetet e paqartë nëse autoritet italiane po vijojnë të kërkojnë esktradimin e Dizdarit në Firence, aty ku një pjesë e grupit të kokainës pak kohë më parë morën dënime nga gjykata.

Të tjerët

Përveç emrave të rëndësishëm të botës së krimit, në Dubai u arrestua për llogari të Antimafies italiane në gusht 2024 edhe Dorian Petoku, narko-trafikanti shqiptar dhe mik i Fabrizio Piscitelli-t, i njohur si “Diabolik”, kryetifozi i Lacios, i vrarë me armë zjarri më 7 gusht 2019 në Romë.

35-vjeçari shqiptar nga Lezha, ishte arratisur nga një qendër rehabilitimi për varësinë nga lëndët narkotike në Nola, në provincën e Napolit, ku ishte transferuar nga autoritetet gjyqësore pavarësisht mendimeve të kundërta të Prokurorisë së Romës.

Megjithë arratisjen e tij në Dubai, Antimafia monitoronte lëvizjet dhe kontaktet e Petokut. Sipas burimeve investigative në Itali, Petoku fshihej falë ndihmës së kushëririt të tij Arben Zogu (një tjetër narko-trafikant shqiptar), ku dyshohet se vazhdonte negociatat për trafikun e drogës me kartelet më të fuqishme kolumbiane të drogës.

Dorian Petoku, i arrestuar në Dubai për llogari të Antimafies italiane

Po ashtu, Elson Reçi i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme për atentatin ndaj Preng Gjinit në vitin 2020, është arrestuar në Dubai, me qëllim kthimin e tij në Shqipëri.

Mbi urën e Nisharakut në Tiranë u tentua më 15 shtator 2020 eliminimi fizik i Preng Gjinit. Në makinën me të cilën udhëtonte i ishte vendosur një sasi tritoli 400 gramë C4, në pjesën e përparme, me shpërthim të kontrolluar në distancë.

Atentati që atëherë u dyshua se lidhet me sagën e hakmarrjeve mes dy fiseve mes fiseve Reçi e Gjini, por në deklaratën e bërë nga vetë Gjini më vonë e mohoi. Elson Reçi, është nipi i Kastriot Reçit, i vrarë me snajper nga një tarracë pallati në janar të 2020.

Amant Josifi, dyshohet se fshihet në Dubai

Po ashtu, në Dubai dyshohet se fshihen disa persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrimet me miliona euro me “Call Center”-at në Shqipëri.

Bëhet fjalë për Amant Josifin dhe Erlind Cekaj, ndaj të cilit GJKKO ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa policia njoftoi se i kërkuari Bruno Çobo, u ekstradua në Shqipëri.

Sakaq, Denis Bajri (Brajoviç), autori i dyshuar i vrasjes së Gjin Ndoj Boriçit në Shkodër më 9 gusht 2020 në Shkodër, është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe në mars 2024.

Boriçi ishte shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit të koduar “Metamorfoza”, pasi u vu nën akuzën e SPAK për vrasje.

Policia e Shtetit njoftoi se kishte siguruar informacion se 36-vjeçari fshihej në Emiratet e Bashkuara dhe se po punon për ekstradimin e tij. E.A.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë