Muzike

Dua ndihmon Dukagjinin në misionin e njohjes së Kosovës

Ëndrra e hershme e Dukagjin Lipës ka qenë organizimi i një festivali muzikor në vendlindjen e tij, për të vendosur shtetin më të ri të Europës në hartën kulturore globale dhe për t’i treguar botës se Kosova ofron shumë më tepër se konfliktet.

Misioni i tij u bë më i thjeshtë kur vajza, Dua u bë një këngëtare me famë botërore falë hitit “New Rules. Tani 22 vjeç, Dua Lipa do të rikthehet në Prishtinë për të ndihmuar të atin në objektivin fisnik e krenar të përmirësimit të imazhit të vendit.

“Duam t’u japim njerëzve atje një ndjenjë përkatësie, një ndjenjë krenarie për vendin e tyre dhe për të ardhmen europiane të vendit të tyre. Muzika dhe arti është rruga më e mirë për të promovuar Kosovën si një vend paqedashës, që e dashuron muzikën dhe që mirëpret të gjithë ata që duan të argëtohen, përfshirë edhe fqinjët”, deklaroi Dukagjin Lipa për Observer.

Dua Lipa është vajza e madhe e Dukagjin Lipës dhe në fillim të këtij viti u rikthye në majat e klasifikimeve muzikore me One Kiss, një bashkëpunim me Dj e njohur skocez, Calvin Harris.

Suksesi i Duas është edhe për meritë të të atit. Dukagjin Lipa ka qenë anëtar i bandës muzikore Oda, e cila do të rimblidhet edhe njëherë në koncertin e fundit që Dukagjin Lipa do të organizojë këtë javë në kryeqytetin e Kosovës.

E rritur në një familje patriotike, Dua s’kishte si të mos frymëzohej në përditshmërinë e saj me ndjenjën e krenarisë për përkatësinë kombëtare. 22-vjeçarja poston shpesh për miliona ndjekësit e saj në rrjetet sociale libra të shkruar nga gjyshi i saj, Seit Lipa, doktor në shkencat historike dhe drejtor i Institutit për Historinë e Kosovës nga 1990 deri në 1995.

Festivali treditor nis të enjten dhe çmimi i biletave për të trija ditët është përcaktuar në 55 euro. Më shumë se të ardhurat, misioni i vendosur nga Dukagjin Lipa është një tjetër.

“Imazhi i Kosovës ka ndryshuar për mirë falë emrave që ka nxjerrë në fushën e artit dhe sportit, por sërish mbeten disa paragjykime”, thotë ai.

Dukagjini i referohet këngëtareve me emër si vajza e tij Dua, apo Rita Ora dhe Nora Istrefi, por edhe futbollistëve me famë botërore me origjinë nga Kosova, si Granit Xhaka, apo Xherdan Shaqiri.

Burimi The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë