Presidenti Bajram Begaj i dha shtetësinë shqiptare Dua Lipës, këngëtares me origjinë shqiptare, të famshme tashmë në të gjithë botën.
Kreu i shtetit priti sot artisten e mirënjohur.
“Është kënaqësi e veçantë që sot presim artisten e madhe Dua Lipa. Them artiste e madhe, por ajo është edhe një vajzë e thjeshtë, që krenarinë më të madhe na e ka dhënë ne, Shqipërisë, Kosovës dhe kudo ku ka shqiptarë nëpër botë. Rinia shqiptare ju ka shembull dhe ju keni treguar se ëndrrat arrihen duke punuar gjithnjë e më shumë. Ti i ke bërë të gjithë shqiptarët bashkë! Ndaj kam kënaqësinë t’ju jap shtetësinë shqiptare”, u shpreh Presidenti Begaj.
Dua Lipa lindi në Londër në 22 gusht 1995 në një familje shqiptare nga Kosova. Ajo u shkollua mes Londrës dhe Prishtinës, ku familja e saj u vendos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Talenti i lindur dhe përkushtimi për botën e muzikës dhe artit e ndihmoi të ngjiste shkallët e karrierës artistike që në moshë të re.
Tashmë ajo numëron shumë çmime e vlerësime për kontributin e saj në muzikë dhe art, përfshi këtu edhe tre çmime Grammy.
Ndjeshmëria e saj për çështjet sociale në vende të ndryshme të botës e ka angazhuar Dua Lipën pranë UNICEF-it, në mbështetje të fushatave për të drejtat e fëmijëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.