Muzike

Dua Lipa do të sjellë në Tiranë reperin e famshëm Fedez për ‘Sunny Hill Festival’

Nga Gazeta Si - Tirana do të presë herë të parë “Sunny Hill Festival” dhe pjesë e festivalit që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar në 26 ,27, 28 gusht do të jetë edhe reperi i famshëm italian, Fedez.

Këngëtari i “Mille”, “La Dolce Vita”, “Sapore” etj, do të performojë në kryeqytetin shqiptar falë ftesës së Dua Lipës dhe babait të saj, Dukagjin Lipa që është njëkohësisht ai që organizon dhe drejton eventin e rëndësishëm.

Lajmi është konfirmuar nga vetë Fedez përmes një postimi në Instastory ku njoftonte ardhjen në Tiranë dhe falënderonte Dua Lipën dhe babain e saj. Fedez, përtej muzikës është personazh i dashur për shqiptarët dhe shumë i ndjekur prej tyre në rrjetet sociale. I martuar me një nga blogeret më të famshme të Italisë dhe jo vetëm, Chiara Ferragni, videot e çiftit dhe fëmijëve të tyre bëhen virale brenda pak minutash.

Nisur nga postimet dhe provat që lë Instagrami, Chiara dhe Fedez janë prej kohësh miq me Dua Lipën, gjë që shpjegon më qartë ardhjen e tij në “Sunny Hill Festival”.  

Festivali do të mbahet në Parkun e Liqenit Artificial.

Ndërsa është zbuluar emri i parë që do të marrë pjesë në këtë event të rëndësishëm, ‘Sunny Hill’ ka paralajmëruar se ditëve në vijim do të zbulohen edhe artistët e tjerë që do të performojnë në këtë event.

Sunny Hill gjithashtu ka njoftuar se biletat “Believers” të cilat janë blerë në Prishtinë, do të vlejnë edhe për atë në Tiranë.

Në datat 4-7 gusht, Sunny Hill u mbajt në Prishtinë, në Parkun e Gërmisë, ku mijëra adhurues të muzikës u mblodhën për të shijuar performancën e Dua Lipës dhe artistëve të ndryshëm.

“Sunny Hill Festival” është një ndër festivalet më të famshme në Shqipëri dhe Kosovë, e cila moderohet dhe sponsorizohet nga këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa.

Edicioni i parë i festivalit “Sunny Hill” është mbajtur më 2018. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, edicioni i vitit 2020 u anulua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë