Lajme

Droni i shpërthen mbi kokë, Presidenti venezuelian i shpëton sulmit

Brenda dhe jashtë vendit kundërshtarët e Presidentit venezuelian, Nicolas Maduro nuk janë të paktë, por, të paktën sipas pretendimeve të Karakasit zyrtar, disa prej tyre janë përpjekur që ta eleminojnë fizikisht atë.

Maduro mori pjesë në një ceremoni ushtarake në kryeqytetin vendas. Gjatë fjalimit përshëndetës, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua. Në videot e shpërndara në internet, shihet qartë se Presidenti venezuelian dhe ushtarakët që ndodheshin në podium, pak para shpërthimit hedhin sytë lartë dhe shohin me habi një objekt fluturues.

Në këtë moment dëgjohet shpërthimi dhe menjëherë ndërhyjnë truprojet e Maduros që formojnë barrikadën mbrojtëse.

Paniku zbriti edhe në rrugën ku ishte parashikuar një paradë ushtarake. Ushtarët u shpërndanë në kaos, ndërkohë që pak pas ngjarjes, ministri i Informacionit, Jorge Rodriguez konfirmoi se pati një tentativë sulmi.

“Të gjitha të dhënat e grumbulluara deri më tani për sulmin na sugjerojnë se në shënjestër të tij ishte Presidenti Nicolas Maduro”, tha ai për mediat.

Vetë Maduro e komentoi pak më vonë incidentin dhe fajësoi për të forcat e djathta në Kolumbinë fqinje.

“Ishte një përpjekje për të më vrarë mua sot. Ai dron ishte nisur drejt meje kur shpërtheu”, tha ai.

Autoritetet venezueliane njoftuan se kishin rrëzuar edhe disa dronë të tjerë vetëshpërthyer të mbushur me eksploziv.

Gregory Wilper, themelues i Venezuelaanalysis, një faqe interneti që analizon dhe komenton zhvillimet e përditshme në vendin më të izoluar të Amerikës Latine flet për një skenar tjetër. Ai thotë se organizatorët e sulmin nuk u përpoqën që të vrisnin Maduron.

“Ata shpresonin që në këtë moment të ngrihej ushtria dhe ta shfrytëzonte si një mundësi për të organizuar një grusht shteti dhe për të rrëzuar Presidentin”, thotë ai.

Sipas Karakasit, sponsorizuesit e sulmit strehohen në Florida dhe janë një grup ekstremistësh të djathtë venezuelianë dhe kolumbianë, ndërkohë që fajësohet edhe Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë