Lajme

Drogë brenda mishit për Lul Cakën, arrestohen dy vëllezër në Lushnjë

Policia e Lushnjës ka arrestuar dy vëllezër, pasi tentuan të fusnin Cannabis Sativa brenda burgut të Kosovës në Lushnjë. Të arrestuarit janë Besnik Bali 40 vjeç dhe Isamir Bali, 34 vjeç. Mësohet se kanabisi ishte fshehur brenda mishit, ndërsa pritësi i porosisë është një i dënuar me 25 vite burg, Lulzim Caka i njohur si i “forti” i Beratit.

Policia njofton gjitashtu se në kërkim për ngjarjen është shpallur një tjetër shtetas, I. Z. 34 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Berat.

Gjithashtu, në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Policisë Lushnjë, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasve Besnik Bali dhe Isamir Bali, ku u gjet lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa.

Kush është Lulzim Caka

Ai njihej si i tmerrshmi i Beratit në krye të një grupi kriminal që ka kryer vrasje në vitet ‘95-‘97. Banda e “të fortit të Beratit”, Lulzim Caka, daton në vitin 1995, kur ai ka kryer vrasjen e parë. Nisur nga lidhjet e krijuara, Lul Caka në vitin 1997 u bë tmerri i udhëtarëve në rrugët nacionale Berat-Fier dhe Berat–Lushnjë. Arrestohet në Itali më 24 dhjetor 2001 dhe ekstradohet në vitin 2003, për të vuajtur dënimin 25 vjet burg për vrasje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë