Politike

“Dritan Dajti” thërritet në Parlament

Dalja e Dritanit Dajti nga burgu i Peqinit se do mjekohej në një nga klinikat në zemër të Tiranës, në zonën e ish-Bllokut dhe shkarkimet e bujshme të ndërmarra në Drejtorinë e Policisë së Burgjeve, kanë detyruar shtatë deputetët e opozitës që të thërrasin në një interpelancë ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Në këtë kërkesë që gazeta “Si” e disponon, deputetët kanë paraqitur 6 pyetje ku deputetët kërkojnë sqarime për “Situatën e rënduar në burgje, lidhur me administratën dhe të burgosurit; shkeljet e bëra gjatë emërimeve, lirimeve dhe transferimeve të drejtuesve të IEVP-ve, drejtuesve të DPB-së dhe vartësve; mos respektimi i drejtave të të burgosurve gjatë lejeve dhe transferimi i tyre”.

Kërkesa e 7 deputetëve për interpelancë


Shtatë deputetët e opozitës Lefter Maliqi, Andi Përmeti, Suzana Topi, Artur Roshi, Besnik Troplini, Ramazan Gjuzi dhe Koçi Tahiri, në pyetjet e tyre kërkojnë gjithashtu e cilësojnë shkarkimin e drejtorit të Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçori dhe të drejtorit të burgut të Peqinit si të jashtëligjshëm, apo dhe për lirimet e emërimet e tjera në sistemin penitenciar të burgjeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe drejtori i Policisë së Burgjeve, Bardhyk Kaçorri (i shkarkuar) në takim në dhjetor të 2019. Gazeta "Si" janar 2020

Gjonaj në këtë interpelancë duhet të raportojë edhe për sigurinë në burgje dhe drejtimin e Drejtorisë së Burgjeve. I dënuar me 25 vite burg për masakrën e Durrësit, ku mbetën të vrarë 4 policë, Dritan Dajti, u shfaq më 10 janar në zonën e ish-Bllokut i shoqëruar nga policë të shumtë për t’u vizituar në një klinikë dentare.

Videoja u publikua nga gazeta Tema dhe ku Dajti, shihet i qethur zero, me një xhup të zi të fryrë. Pas këtij lajmi që u përhap rrufeshëm në mediet shqiptare, ministria e Drejtësisë bëri të ditur masat e ndërmarra drejtuesve të policisë në burgje për ngjarje.  Në deklaratën për median Ministrja e Drejtësisë tha se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me strukturat e saj të posaçme, kanë hetuar dhe verifikuar të gjitha veprimet e kryera nga zinxhiri i të gjithë strukturave përgjegjëse. “Sipas të gjitha të dhënave, është konkluduar qartazi se në shkelje flagrante me ligjin, stafi mjekësor e drejtues në IEVP-në Peqin nuk kanë  kryer asnjë proces vlerësimi të kërkesës – në profilin mjekësor dhe operacional të riskut – dhe nuk ka marrë në konsideratë asnjë mundësi për kryerjen e vizitave mjekësore pranë strukturave shëndetësore publike të afërta me institucionin e vuajtjes së dënimit”, thuhet në reagimin e ministrisë. Për të gjithë shkeljet e konstatuara ministrja urdhëroi  shkarkimet në katër raste dhe paralajmërime në dy raste të tjera.

Largimet e masat e ministrisë
Lirimin nga detyra të Drejtorit të IEVP-së Peqin, Emin Shpata për shkelje të rëndë.
Lirimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçorri për shkelje të rëndë.
Largim nga puna të mjekut të IEVP Peqin, Andi Andoni.
Lirim nga detyra të shefit të Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ferit Mici.
Vërejtje me paralajmërim për mjeken e DPB, Ermira Qirinxhi.
Vërejtje me paralajmërim për inspektorin e IEVP Peqin, Mefat Shehu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë