Motosport

Drejtuesi i Ferrarit pranon: Një repart ka probleme, presioni vjen nga jashtë

Gazeta Si – Drejtuesi kryesor i skuderisë italiane, Frederik Vaseur, ka folur për startin jo të mirë të Botërorit. Ai ka pohuar se presioni vjen nga jashtë dhe ka kërkuar që të gjithë të kontribuojnë në suksesin e Ferrarit. Po ashtu, ka thënë se një repart ka probleme, por pa e përmendur se cili.

“Është një repart që duhet të përmirësohet, por po e mbaj për vete cili është", - ka thënë Vaseur për spanjollen ‘AS’. Ai ka komentuar situatën te Ferrari pas dy garave të para, në Bahrejn dhe në Arabinë Saudite, me një vend të 4-t në të parën dhe vendin e 6-të dhe të 7-të në të dytën.

Frederik Vaseur. Gazeta Si, 22 mars 2023

Një start i dobët, por ajo që shqetëson më shumë është mungesa e shpejtësisë së makinës SF-23, me probleme qëndrueshmërie. Për këtë arsye ka presion mbi skuadrën dhe Vaseur thotë se është i gatshëm ta përballojë.

“Shumë njerëz më kanë thënë se Ferrari është i vështirë të administrohet nga brenda, por jo e gjitha është e vërtetë. Atmosfera dhe bashkëpunimi në skuadër janë të mira, kemi më shumë presion nga jashtë. Por kjo është puna ime. Këto komente mund të ndikojnë në moralin e skuadrës, edhe pse nuk kanë të bëjnë fare me realitetin”, - ka theksuar Vaseur.

Për sfidën mes Leklerk dhe Sainz, Vaseur u shpreh se nuk ka numra 1 dhe 2. "Kam punuar 30 vjet me të rinjtë, nuk ka një pilot të parë dhe një të dytë. Janë njësoj, pastaj, në një pikë të caktuar të sezonit ndoshta mund të merret një vendim. Kemi dy pilotë që mund të fitojnë gara, besojmë te të dy”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë