Gazeta Si – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka miratuar lejen për Alfred Belerin që ai të betohet si deputet i Greqisë në Parlamentin Europian.
Ashtu siç ishte paralajmëruar një ditë më parë, Beleri do të udhëtojë i vetëm në Bruksel, i pashoqëruar nga efektivët e policisë.
Kujtojmë se partia “Demokracia e Re” në Greqi e përzgjodhi Belerin për ta ushtruar këtë detyrë më 10 qershor të këtij viti, teksa Beleri ndodhej prapa hekurave për korrupsion në zgjedhje.
GJKKO e ka dënuar ish-kryebashkiakun e Himarës me dy vite burg për vjedhje votash dhe atij i kanë mbetur edhe 3 muaj e gjysmë për të përfunduar dënimin.
Vitin e kaluar, Beleri u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës por humbi detyrën dhe tani po vuan dënimin me dy vjet për blerje votash në ato zgjedhje, një vendim të cilën ai e kundërshton.
Sipas gazetës greke “Protothema”, përpjekjet që Fredi Beleri të marrë një leje 5 ditore janë intensifikuar javët e fundit, ndërsa gjithçka është vulosur në samitin NATO-s në Uashington.
Në samit nuk ka pasur një takim të kryeministrit Edi Rama me homologun grek Qirjako Mitsotakis, por të dy kryeministrat kanë autorizuar shefat e tyre të diplomacisë për negociata.
Mediat greke shkruajnë se dakordësia është arritur mes Ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë Giorgos Gerapetritis me homologun shqiptar Igli Hassani.
Mediat fqinje shkruajnë se të hënën (15 korrik), pak pas orës 12:30, Fredi Beleri do të bëjë deklaratën e tij të parë si eurodeputet i zgjedhur i Demokracisë së Re para kamerave të stacioneve televizive, në sallën e mbërritjeve të Aeroportit Ndërkombëtar në Athinë, përpara se të fluturojë për në Strasburg, ku do të betohet si eurodeputet dhe më pas do të votojë për Ursula von der Leyen për një mandat të dytë 5-vjeçar në Komision.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.